Produkti i një familjeje duhet të jetë intelektualiteti

Impresionimi ishte i përhershëm, sa herë që gjëndeshe në atë shtëpi, pasi i zoti i shtëpisë kishte një hije të rëndë, përveçse dallohej për shtatlartësinë e tij, gjë e cila s’përbënte një faktor kyç për të treguar se ishte një burrë i mençur.

Kishte lexuar shumë tërë jetën, e ndërkohë s’iu ndante librave të ndryshëm. Kuptonte më së miri rrethanat e kohës dhe “të lexuarit” i kishte dhënë mundësinë dhe padyshim edhe mprehtësinë t’u gjente “zgjidhje” të menjëhershme situatave të krijuara.

Në komunikim me fëmijët ishte shumë i çiltër, e mbi të gjitha i sinqertë. Kënaqej së tepërmi, teksa bisedonte me ta, pasi vijonte çdo ditë të ndiente po atë kënaqësi që kishte provuar që ditën e parë të ardhjes së secilit prej tyre në jetë.

Ishin kohë të vështira atëherë e s’bëhej fjalë për “zotërim pasurie”, megjithatë ai dinte ta shijonte jetën, pasi pasuria më e madhe për të qenë fëmijët. S’e kishte të rëndë të tregonte në biseda të ndryshme miqësore apo farefisnore se mëngjeseve, në të shumtën e rasteve, ushqimi më i preferuar ishte “paçamuri” as s’e mbrëmjeve uleshin përreth “tangarit” duke rreshkur thekën e bukës, të cilën më pas e ngjyenin me pak vaj dhe e kriposnin sa për ti dhënë një shije.

Gjëja më e rëndësishme për të ishte t’u jepte fëmijëve të tij sa më shumë dije dhe edukatë, t’i ushqente ata me kulturën dhe traditën e familjes, të farefisit dhe të vendit ku jetonin. Azhornohej përherë me botimet e kohës. të cilat pasi i lexonte pikësëpari vetë ua rrëfente me plot kënaqësi edhe fëmijëve.

S’mungonin asnjëherë në familje bisedat për historikun dhe kulturën e familjes dhe të brezave që kishin kaluar. U tregonte se përse vlerësoheshin aq shumë ato sakrifica të të parëve të tyre. U tregonte se si ishte zgjeruar trungu i familjes deri sa kishin mbërritur tek brezi i tyre. U rrëfente për shërbimet që kishin kryer gjyshërit dhe stërgjyshërit dhe brezat e mëparshëm, se ç’profesione apo zanate kishin përvetësuar, se si i kishin realizuar aspiratat e tyre …

U tregonte përherë normat mbi të cilat ishte ndërtuar familja, si dhe përse duhej respektuar prindi, cilat ishin angazhimet e secilit brënda familjes, si duhej të reflektonin mendimet e ndryshme brënda familjes, si duhej të respektoheshin miqtë dhe të afërmit, përse nevojiteshin angazhimet e shumta brënda dhe jashtë familjes …

S’njihte asnjëherë ashpërsinë apo ironizimin me fëmijët, por serioziteti ishte arma e tij e fortë. U qëndronte përherë i buzëqeshur dhe kështu ua fitonte zemrat menjëherë. I donin fëmijët prindërit pasi tek ta gjenin mbështetjen më të fortë dhe të palëkundshme, ashtu sikurse edhe prindërit i donin së tepërmi fëmijët e tyre si pasuria më e pazëvendësueshme e jetës.

Të shumta ishin edhe lojrat që zhvillonin në ambientet e shtëpisë, të cilat nuk ndihmonin vetëm në argëtimin e tyre, por edhe në zhvillimin e tyre ideor dhe logjik.

Bisedat e këndshme nuk zhvilloheshin vetëm brënda shtëpisë, përkundrazi harmonia e tyre vijonte edhe përjashta, teksa vizitonin ambiente të ndryshme, të afërm apo miq të shumtë. Të tilla atmosfera ishin çlodhëse për ta, argëtoheshin së tepërmi bashkarisht, teksa prindërit gjithnjë e më tepër zbrisnin në natyrën e fëmijëve të tyre dhe fëmijët piqeshin dhe zgjeronin më shumë horizontin duke pasuruar botën e tyre me risitë e përditshmërisë. S’ishte e nevojshme të përdorej një gjuhë e papëlqyeshme, pasi për ta, funksiononte përherë gjuha shpirtërore.

Me rritjen e fëmijëve rriteshin edhe prindërit njëkohësisht, teksa kuptonin më së miri natyrën dhe botëkuptimin e secilit.

S’kishte diçka të fshehtë në mesin e tyre pasi prindërit e kishin atë aftësi dhe zgjuarsi që të merrnin edhe opinionet e fëmijëve të tyre për çështje të caktuara, të diskutonin së bashku duke marrë edhe rezultate tepër efektive. Në këtë mënyrë fëmijët zgjeronin edhe më shumë gjykimin dhe perceptimin e tyre për shumë çështje familjare dhe sociale.

S’ishte thjeshtë vetëm veshmbathja tematika që trajtohej mes tyre apo vetëm ushqimi në vakte të caktuara, përkundrazi, çdo problematikë që kishte të bënte me moshën dhe zhvillimin e tyre përbënte thelbin e çdo diskutimi.

E kuptonin më së miri njëri-tjetrin dhe s’bëhej fjalë të kishte revoltime apo ashpërsime situatash. Edhe në raste mospajtimesh idesh dhe mendimesh sërish “tjetri” dëgjohej me kujdes dhe më pas ofroheshin mendime të ndryshme për një zgjidhje sa më efikase. Kjo për një arsye të vetme:

Prindërit e kishin pranuar me kohë se

fëmijët ishin rritur dhe duheshin respektuar për çdo pikëpamje.

S’mungonte asnjëherë komunikimi i rregullt mes tyre dhe padyshim “të drejtat” dhe “detyrimet” gjenin terrenin e duhur në kohën dhe mënyrën e duhur.

Aspironin “fëmijët e rritur” tashmë të ecnin me hapa të shpejtë, pavarësisht terrenit të egër të një “mentaliteti gllabërues”. Secili kishte bërë të qarta pasionet dhe aftësitë përkatëse dhe për integrimin e tyre bashkëpunimi brënda familjes ishte rigoroz. Askush s’mburrej se kishte diçka më shumë nga tjetri, përkundrazi ishin përherë krenarë për “dhuntitë” që zotëroheshin.

Atmosfera brënda familjes gërshetohej përherë me situata të larmishme si fryt i një bashkëpunimi të ngushtë e ku psikologjia e secilit kuptohej mjaft mirë duke mos sjellur qoftë edhe lëndatën më të vogël.

Kreativiteti i admirueshëm që zotëronin prindërit reflektohej dhe pasqyrohej qartazi edhe tek fëmijët, pasi në radhë të parë ata kishin qenë të vendosur që në pikënisje të këtij rrugëtimi fisnik se kyçi i mbarëvajtjes së një familjeje është zhvillimi i intelektit individual.

Pasuroni memorien e fëmijës suaj me çaste dhe momente të gëzueshme dhe plot larmi.

Një gjë e tillë bëhet e mundshme vetëm atëherë kur vetë ju si prindër keni arritur intelektualitetin e duhur dhe të keni se ç’ti ofroni fëmijës.

Mos harroni se çelësi kryesor për të patur një intelekt të zhvilluar është “leximi” jo vetëm i një libri, por edhe “leximi i gjuhës fizike dhe shpirtërore” të fëmijës.

Mos harroni se

bashkë me fëmijët rriteni edhe ju si prindër

duke kuptuar alternativat e ndryshme që ofron përditshmëria dhe gjatë kësaj rritjeje kuptoni akoma më mirë peshën që keni në jetë.

Prandaj është koha që edhe ju si prindër të plotësoheni dhe të angazhoheni në zhvillimin tuaj që të jeni të aftë të orientoni dhe të integroni fëmijën tuaj në instancat e larta të shoqërisë.

Komunikoni me fëmijët me gjuhën pozitive

dhe fshini nga fjalori i përditshmërisë fraza të tilla si “ti nuk vlen”, “ti nuk di”, “ti nuk kupton”, “s’merr vesh fare ti nga këto punë”… pasi në fund të fundit fëmija është produkti juaj dhe nëse fëmija në një moshë të caktuar (të pjekur) nuk është në dijeni të disa zgjidhjeve është mangësia e juaj si prindër që nuk ia keni “mësuar” në kohën dhe momentin e duhur.

Mos hezitoni të vëzhgoni orientimet që merr fëmija në shkollë,

ndiqeni atë hap pas hapi dhe do e keni më të lehtë të gjykoni rreth botëkuptimeve dhe vizioneve që ushqen vendi dhe koha tek natyra e fëmijës suaj.

Tentoni vazhdimisht të kuptoni aftësitë dhe prioritetet e fëmijës

duke krijuar hapësirat e mundshme që fëmija ti zhvillojë këto aftësi në mënyrë që të jetë i gatshëm me integrimin e tij në shoqërinë ku jeton.

Zhvilloni biseda të vazhdueshme rreth hobeve dhe dhuntive që kanë fëmijët,

përfshihuni edhe ju vetë si prindër duke i ndjekur më nga afër dhe duke i mbështetur jo vetëm nga ana financiare, por më shumë nga ana shpirtërore. Kështu do vijë një moment që fëmija do shprehet më lirisht edhe për ato gjëra që ka hezituar më parë.

Shëtisni me fëmijën në ambiente të ndryshme

që edhe ai të kuptojë se çfarë e rrethon dhe cilat janë mundësitë që i ofron vendi dhe ambienti. Shijoni së bashku bukuritë dhe kënaqësitë e vendit ku jetoni në mënyrë që ta kuptoni më së miri njëri-tjetrin dhe kështu do të keni një mbarëvajtje gjithnjë më të qëndrueshme.

Tregohuni të sinqertë me fëminë tuaj

dhe në momente të caktuara ndani me ta edhe “të fshehtat” e ndryshme,

pasi në këtë mënyrë do të fitoni sigurinë dhe besnikërinë gjithnjë për një mbarëvajtje të zhvillimit individual dhe familjar.

Binduni një herë e mirë se fëmija çdo ditë është në rritje dhe në zhvillim

si në aspektin fizik ashtu edhe në atë shpirtëror.

Nëse kërkoni një zhvillim ideor të fëmijës zgjeroni horizontet përkatëse dhe tregoni detyrimet që ka në përditshmërinë e tij. Mos harroni se një gjë e tillë nis pikësëpari nga vetja juaj si prindër.