Profesionet më të kërkuara për të punuar nga shtëpia

Sa i takon profesioneve që aktualisht kërkohen më shumë, z. Mezini veçoi njohësit e gjuhëve të huaja si anglisht dhe gjermanisht, por dhe programuesit dhe ekspertët e marketingut.

Dritan Mezini, themelues i duapunë.com, thotë se puna online apo nga shtëpia është bërë një realitet tashmë me situatën e krijuar nga COVID-19. Ai nënvizon se, është alternativa kryesore dhe ndoshta e vetmja për kompanitë që duan të ruajnë pozicionin e konkurruesshmërisë në treg.

“Avantazhet e punës online kanë qenë gjithmonë, edhe para kësaj situate. Ka kosto më të ulët, e cila është gjëja më e rëndësishme. Duke qenë në kushtet e punës së shtëpisë, punonjësit janë më efektiv pasi ndihen të relaksuar dhe nuk ndjejnë presionin e zyrës”, shprehet z. Mezini.

Duke iu referuar disa pyetësorëve, ai shtroi se punonjësit po japin maksimumin e produktivitet ndërsa po punojnë nga shtëpia ndoshta për të siguruar ekzistencën e kompanisë për të cilën punojnë. Por, nga ana tjetër ka dhe disa probleme, ku kryesorja është ndarja e kohës së punës dhe ndjenja e vetmisë apo mungesë komunikimi e bashkëpunimi mes punonjësve.

Sa i takon profesioneve që aktualisht kërkohen më shumë, z. Mezini veçoi njohësit e gjuhëve të huaja si anglisht dhe gjermanisht, por dhe programuesit dhe ekspertët e marketingut.

“Këto janë kohë sfide për këto, por për ata ekspertë që kanë njohuri kjo është një periudhë kur ata ndihen më komodë”, deklaroi themeluesi i “duapune.com”, duke shtuar se bizneset duhet të marrin transformim digjital për t’u përshtatur me kohën.