Një grup aktivistësh u tubuan para Shtëpisë së Bardhë për të kërkuar ndëshkimin e përgjegjësve të vrasjes së gazetarit saudit Jamal Khashoggi, raporton Anadolu Agency (AA).
Anëtarët e Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve dhe aktivistë të shoqatave të tjera të të drejtave të njeriut, u mblodhën para Shtëpisë së Bardhë për të dhënë një deklaratë për media në lidhje me gazetarin e vrarë saudit Jamal Khashoggi.
Ahmed Bedier, kryetari i Shoqatës “Drejtësi për Jamal Khashoggin”, tha se mosbërja e asnjë veprimi në lidhje me vrasjen e Kashoggit ka shkaktuar zhgënjim te shumë persona që kërkojnë drejtësi.
Ndërkaq, drejtoresha e Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Courtney Radsch, kritikoi heshtjen e qeverisë Trump përballë vrasjes së kryer nga Arabia Saudite.
“Kemi ardhur këtu për t’i treguar presidentit Trump dhe qeverisë së tij se shumë njerëz në SHBA dhe botë i japin rëndësi lirisë së shtypit”, tha Radsch.
Aktivistët i bënë thirrje administratës së presidentit Trump të respektojë kërkesën e Kongresit dhe të shpalosë informacionet për përgjegjësit e vrasjes.
Ndryshe, Khashoggi, kontribues i gazetës “The Washington Post”, u vra në Konsullatën Saudite në Stamboll më 2 tetor.
Pas shpjegimeve të ndryshme kontradiktore, Rijadi pranoi se ai u vra brenda ndërtesës së konsullatës, duke thënë se vrasja ishte një operacion jashtë kompetencave dhe dijenisë së qendrës.
Agnes Callamard, Raportuesja Speciale e OKB-së për Ekzekutime Jashtëgjyqësore dhe Arbitrare, e cila së fundmi vizitoi Turqinë për hetimin e rastit Khashoggi nën kryesimin e OKB-së, në raportin e publikuar në lidhje me hetimin tha se “provat e mbledhura në Turqi gjatë detyrës sime, tregojnë se Khashoggi është viktimizuar në një vrasje mizore dhe të paramenduar nga zyrtarët e shtetit të Arabisë Saudite”.![]()



