Një ngjarje e bujshme u shënua sot në Bularat të Gjirokastrës. Një shtetas, grek me origjinë quajtur Kostandin Kacifa u la i vdekur nga forcat RENEA, pasi më herët ka qëlluar me armë drejt forcave speciale policore.
Media greke “Protothema” shkruan se 35 vjeçari vdiq nga të shtënat me armë zjarri nga policia e shtetit shqiptar, pasi i riu më herët ka qëlluar në drejtim të policisë dhe ishte i armatosur. Njeriu i identifikuar si Kostandin Kocifa njihej si patriot grek dhe kishte ngritur flamur helen të madh në mes të fshatit të tij të quajtur Bularat, në Gjirokastër, në jug të Shqipërisë.
Bularati njihet si fshat i banuar kryesisht nga minoritarë grekë. 35 vjeçari ka qëlluar me armë kundër policëve shqiptarë. Pas kësaj, ai u arratis në male për të shmangur arrestimin. Policia e Gjirokastrës, për këtë aksion ka thirrur në ndihmë forca speciale nga Tirana dhe veçanërisht RENEA-n, e cila është edhe njësia elitë e policisë shqiptare. Ka ndodhur edhe një shkëmbim zjarri mes policisë së Shqipërisë dhe agresorit e si pasojë Kostandin Kocifa mbeti i vdekur.
Mësohet se i riu grek ka qenë në një festë të Greqisë, që mbahet çdo vit në Bularat. Kjo festë fatkeqësisht u shndërrua në tragjedi sot, teksa Kostandin Kacifa ka qëlluar me armë zjarri shkruan “Protothema”. Kjo nuk është hera e parë që një minoritar grek vritet në Shqipëri. Në gusht të vitit 2013, Aristotel Guma u vra në Himarë, thjesht pse po fliste greqisht në restorantin e tij.
Vrasjen e të riut grek e kanë përcjellë një sërë mediash greke si “Zougla”, “Greek Reporter”, “Reader.gr” etj. Sigurisht edhe me tone disi nacionaliste./Shekulli



