PS kryeson në 5 bashki, Shkodra me Berishën, PD forcë e tretë

Ka vijuar përgjatë gjithë natës procesi i numërimit të votave për zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit ku u votua në 6 bashki të vendit.

Deri në këto momente, procesi i numërimit ka përfunduar në Vorë dhe në Rrogozhinë ku është konfirmuar fitorja e kandidatëve socialistë.

Në Vorë, aty ku u votua dhe u numërua në mënyrë elektronike, Blerim Shera fitoi me 69% të votave, ndërkohë që i dyti u rendit kandidati i “Shtëpisë së Lirisë”, Lulzim Vrana me 24%. PD mori vetëm 687 vota.

Në Bashkinë e Rrogozhinës, votuesit kanë zgjedhur Edison Memollën për t’i votuar. Kandidati socialist ka marrë rreth 60% të votave. Vetëm në këtë Bashki, Partia Demokratike mund të konsiderohet forcë e dytë.

Në Shkodër, ku janë numëruar rreth gjysma e kutive të votimit, udhëheq Bardh Spahiu i “Shtëpisë së Lirisë” me rreth 2 mijë vota diference nga rivalja socialiste Majlinda Angoni, ndërkohë që PD është sërish në vend të tretë.

Në Bashkinë e Durrësit, janë numëruar 167 nga 337 kuti, udhëheq me diferencë kandidatja socialiste Emirjana Sako, ndërkohë që në vend të dytë është Ardian Muka i “Shtëpisë së Lirisë”, Luan Hoti i PD renditet i treti me 13% të votave.

Në Dibër, Rrahim Spahiu nga Partia Socialiste është shkëputur ndjeshëm rivalit të “Shtëpisë së Lirisë”, Premtim Kryemadhi. Në këtë bashki gara e fortë është mes kandidatit të Berishës dhe atij të Bashës.

Rezultati mund të quhet I mbyllur dhe në Lushnje. Kur kanë mbetur dhe 30 kuti për të numëruar kandidatja Eriselda Sefa është e shkëputur me 8000 vota ndaj kandidatit të “Shtëpisë së Lirisë”, Elton Bano. Ky i fundit ka një shkëputje prej rreth 6000 vota ndaj kandidatit të Bashës, Indrit Sefa.