Publikimi i pagave, Rama: Qëllim nxitja e destabilitetit, të hetojë prokuroria

Kryeministri Edi Rama deklaroi mesditën e sotme se publikimi i pagave për punonjësit duhet të hetohet nga prokuroria.

“Dua tu kërkoj një ndjesë të gjithëve që janë shqetësuar me plot të drejtë për këtë ndërhyrje në këtë aspekt të jetës së tyre private. Dua ta nënvizoj se kjo është një ngjarje, e cila meriton të hetohet imtësisht. U bëj thirrje organeve ligjzbatuese ta kryejnë këtë hetim me të gjitha kapacitet e tyte. Në këndvështrimin tim nuk është vështirë të shohësh se këtu ka një qëllim jo fort siç thashë të vështirë për t’u kuptuat dhe për nxitur destabilitet në një përpjekje që nuk është e para”, u shpreh Rama.

Ai hodhi akuza ndaj opozitës në lidhje me publikimin e listës së pagave.

“Duke pasur parasysh deklarata të bëra nga foltoret e kuvendeve dhe anti-Kuvendeve, mund të mos jetë e fundit, prandaj thirrje ime për prokurorinë është që të hetojë”, tha ai më tej.

Kreu i qeverisë nënvizoi se deri më tani dyshohet se ka ndodhur një infiltrim i brendshëm se sa një sulm kibernetik.

“Kemi të bëjmë me një ndërhyrje që duhet hetuar deri në fund për prejardhjen e saj por nga analizat paraprake ngjan si një ndërhyrje nga infiltrimi i brendshëm dhe nga infiltrimi i jashtëm jo në formën e një sulmi kibernetik”, u shpreh Rama.

Edi Rama tha se qeveria po punon me qeverinë amerikane për të përfshirë sistemin kibernetik General Jones. Ai bëri me dije se kjo kompani është e angazhuar me mbrojtjen e të dhënave të KESH dhe OSHEE.

Për Agjencinë Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSH), Rama tha se do të fillojë të përdorë teknologjinë e avancuar për mbrojtjen e çdo të dhëne, blockchain.

“AKSH ka hyrë në një fazë të re, duke filluar të përdorë teknologjinë blockchain që është shumë e avancuar dhe e bën të pamundur çdo lloj veprimi, edhe manual mbi sistemin pasi jo vetëm çdo veprim dixhital lë gjurmë por edhe futja e një personi në sistem është e regjistruar, e çdo lloj tërheqje e të dhënave është e pamundur”, tha Rama.

Drejtoresha e AKSH, nga ana tjetër, tha se sistemi e-Albania është krejtësisht i sigurt.