Punëdhënësit që nuk aplikojnë për ndihmën financiare të punonjësve do të gjobiten 50 mijë lekë

Deri në fillim të majit, kur janë publikuar të dhënat e fundit nga tatimet, aplikimet ishin bërë për rreth 100 mijë persona.

Këshilli i Ministrave ka vendosur të gjobisë punëdhënësit që nuk aplikojnë për ndihmën financiare të punonjësve të tyre me një shumë prej 50 mijë lekësh.

Kjo masë administrative sanksionohet në disa ndryshime dhe shtesa në AKTIN NORMATIV NR.3, DATË 15.3.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MARRJEN E MASAVE TË VEÇANTA ADMINISTRATIVE GJATË KOHËZGJATJES SË PERIUDHËS SË INFEKSIONIT TË SHKAKTUAR NGA COVID-19”, TË NDRYSHUAR.

“Moskryerja e aplikimit nga ana e subjektit të të punësuarit apo ish-të punësuarit që plotëson kushtet për të përfituar ndihmën financiare, gjatë periudhës së fatkeqësisë natyrore të shpallur si pasojë e COVID-19, dënohet me gjobë në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë.

Subjektet, të cilat i kanë trajtuar me pagë të plotë të punësuarit apo ish-të punësuarit nuk gjobiten për mosaplikim për përfitimin e ndihmës financiare.

Subjektet e gjobituara mund të ushtrojnë të drejtën e ankimit pranë administratës tatimore, duke paraqitur në rrugë elektronike, nëpërmjet portalit e-filing, shkaqet dhe/ose arsyet e mosaplikimit, jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga data e komunikimit të gjobës, sipas Kodit të Procedurave Administrative.”, thuhet në të.

Pak ditë më parë, kryeministri Rama e paralajmëroi vendosjen e kësaj gjobe. “Në mënyrë të përsëritur, individë që përfitojnë nga Paketa e Zgjeruar, më shkruajnë në Whatsap, drejtohen këtu (ku u lutem të jenë konkretë e të lënë të dhëna të sakta për biznesin ku kanë punuar, jo komente të përgjithshme🙏), në Ministrinë e Financave ose tek Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, e me plot të drejtë ankohen se punëdhënësit e tyre (disa subjekte në kategorinë biznes i madh), nuk aplikojnë për ta dhe kësisoj ata nuk po e marrin dot ende Pagesën 40 mijë Lek! Bëhet fjalë për punonjës të larguar nga puna deri në datën 10 prill, të cilëve një numër jo i madh po as i vogël punëdhënësish, u kanë kthyer kurrizin!”.

Nga paketa e dytë financiare janë parashikuar të përfitojnë 176 mijë persona, ku rreth 100 mijë i përkasin biznesit të vogël dhe pjesa tjetër nga subjektet e mëdha që kanë larguar punonjësit nga skema e sigurimeve deri në 10 prill si dhe në turizëm.

Deri në fillim të majit, kur janë publikuar të dhënat e fundit nga tatimet, aplikimet ishin bërë për rreth 100 mijë persona.

Por bizneset ankohen që një nga arsyet se pse nuk aplikojnë dot lidhet me datën e largimit të punonjësve nga sigurimet.

Burimet nga tatimet kanë pohuar për Monitor se po punohet për një ndryshim në VKM për të adresuar këtë problematikë.