Ndihmësi i politikës së jashtme të Kremlinit, Yury Ushakov ka bërë të ditur se presidenti rus, Vladimir Putin dhe presidenti kinez, Xi Jinping, do të diskutojnë një gamë të gjerë çështjesh ndërkombëtare gjatë takimit të tyre të ardhshëm në çaj, transmeton Anadolu.
Gjatë vizitës aktuale të Putinit në Pekin, tha Ushakov për mediat ruse, Rusia dhe Kina arritën marrëveshje mbi projekte të përbashkëta energjetike ndërsa u arritën edhe mirëkuptime për "diçka shumë të rëndësishme”.
I pyetur për një vizitë të mundshme në Moskë nga i dërguari i SHBA-së, Steve Witkoff, Ushakov tha se diplomati kishte shprehur vazhdimisht qëllimin e tij për të vizituar përsëri kryeqytetin rus, megjithëse ende nuk është rënë dakord për data.
Sipas ndihmësit të Kremlinit, datat e udhëtimit do të përcaktohen bashkërisht nga Moska dhe Washingtoni.
"Meqenëse ky është një shkëmbim dypalësh, është një çështje që duhet zgjidhur në baza dypalëshe. Njëra palë propozon, tjetra bie dakord, propozon data alternative ose bie dakord me ato të propozuara. Ky është një proces normal diplomatik", tha ai.
Duke iu referuar vizitës dy-ditore të Putinit në Kinë, e cila do të përfundojë sot, Ushakov tha se gjatë takimit në çaj, Putin dhe Xi do të diskutojnë një gamë të gjerë çështjesh ndërkombëtare, përfshirë situatën rreth Ukrainës dhe Iranit si dhe marrëdhëniet me SHBA-në.
"Kryesisht çështje ndërkombëtare, Ukraina, Irani, marrëdhëniet me SHBA-në, bashkëpunimi brenda organizatave ndërkombëtare e kështu me radhë. Pala kineze është e interesuar për të gjitha çështjet ndërkombëtare, sepse Kina luan rol të madh në çështjet ndërkombëtare, siç e dinë të gjithë", shtoi ai.


