Qëllimi është ta mbajmë të ulët vetëdijen e audiences

Nga Redi Shehu

Natyrisht do të duhej shumë punë për të folur mbi rolin e madh që kanë mediat në formimin e kulturës demokratike në shoqëritë moderne. Por ajo që është thelbësisht e qartë është ndikimi mediatik përmes komunikimit masiv në politikat sociale. Ky atribut ndikon ndjeshëm në mënyrën se si ndërtohet korniza e realitetit nga media, sepse kjo e fundit mundet që pikërisht me mënyrën se si e ndërton këtë realitet në përceptimin e shoqërisë përmes ekzagjerimit të dhunës, konfliktualitetit, fryrjes të së keqes në gjirin e shoqërisë, të mund t’ia bëjë të vështirë institucioneve demokratike zgjidhjen e problemeve të brëndëshme, por njëkohësisht edhe menaxhimin e konflikteve ndërkombëtare. Por nga ana tjetër duhet pohuar me forcë se kemi të bëjmë me median si shtyllë kurrizore e demokracisë dhe shoqërive demokratike, ajo e cilambush me informacion anëtarin e shoqëriosë i cili në të njëtën kohë është edhe votues dhe prind. Media është edhe mekanizmi kontrollues i ruajtjes nga e keqja sociale dhe duhet të përbëjë sistemin e alarmit i cili sinjalizon kur kufinjtë e normave të etikës kolektive janë shkelur.

Kritika më e madhe që i bëhet sot rolit të mediave e është fakti se grupe të fuqishme ndërkombëtare ekonomike kanë kontrollin mbi mediat dhe për rrjedhojë kanë ndërtuar një logjikë ekonomike mbi transmetimin e cila në shumë raste nuk ndjek të vërtetën por e personalizon atë në funksion të interesave gjeopolitike dhe ekonomike. Si pasojë lajmet me karakter politik më shumë tentojnë të anojnë nga personalizimi i figurës se sa nga ideologjia përfaqësuese e grupimit politik. Media sot gjurmon më shumë për skandale politike të jetës private te liderëve dhe shumë pak fokusohet në punën e sistemit qeverisës dhe pasojat e keq-qeverisjes. Sllogani mediatik serviret si zgjidhje politike dhe debati serioz dhe cilësor politik është i munguari i madh duke ç’interesuar publikun. Mediatikisht rreziku më i vogël amplifikohet në përmasa të frikshme ndërkohë që rreziku vërtet potencial dhe serioz anashkalohet në mënyrë proporcionale. Lajmi përqëndrohet më shumë drejt  asaj çka përbën zbavitje e orientuar gjithnjë e më shumë drejt skandalit, thashethemnajës, seksualitetit e dhunës.

Këto që përmendëm më sipër si dhe  shumë të tjera të shtyjnë drejt  të menduarit mbi pozitën tepër influente të mediave në shoqëri dhe pasojës së rëndë që do të kishin sistemet demokratike të këtyre shoqërive nëse këto media do të keqpërdoreshin apo do të përdoreshin të orientuara nga interesa grupimesh politiko-ekonomike. Ka një rend tregëtar në masmedia sot përveç rendit informativ që ne shohim në sipërfaqe. Por ka edhe një rend politk i cili pa median praktikisht do të ishte i zbrazët.

Nga njëra anë biznesi influencon ose posedon mediat të cilat i japin fomë opinionit publik dhe atmosferës politike, dhe nga ana tjetër,  klasa politike përmes fomave por edhe strukturave të saja e përdor masmedian për të arritur qëllimet e veta të pushtetit duke u përpjekur për të skematizuar mendimin e audiencës. Sa më e madhe të jetë konkurenca e masmediave aq më e vogël bëhet pavarësia e tyre në raport me trajtimin e së vërtetës dhe aq më e vogël është mundësia që produket mediatike të jenë të anuara nga thellësia e shqyrtimit, nga shterrimi i fakteve si dhe konkludimi profesional dhe vërtet i pavarur.

Ndaj prezenca e disa mediave jo komerciale sot në botë jane shembulli i një sistemi komunikimi të pavarur demokratik . Në vende me pjekuri të lartë demokratike mediat e financuara nga shteti kanë rezultuar të jenë më stabile dhe më pak të anuara nga varësia e ndërsjelltë duke ndikuar direkt në proçeset demokratizuese të atij vendi. E kundërta ndodh me mediat komerciale të cilat janë të prirura të mbajnë piacën e audiencës në një nivel sa më të ulët njohës dhe analitik duke u fokusuar kryesisht tek zbavitja e seksualiteti si dhe tek programacionet lehtësisht të kapshme për aftësitë njohëse të publikut. Kështu që, të krijohet përceptimi se mediat po u servirin konsumatorëve mediatikë thjeshtim  përmes argëtimit dhe zbavitjes pa fund. Kjo ka implikimet  e veta në proçeset demokratike të një vendi, për arsye se një audiencë e cila mbahet në nivele të ulëta të përceptimit artistik dhe estetik, të informacionit dhe njohjes, është një masë lehtësisht e manipulueshme politikisht për arsye se kuptueshmëria e çështjeve politike ngelet në stade të pazbërthyera nga disa media ose të argumentuara sipas rreshtimit të krahëve politikë të mediave të tjera nën alibinë e të qenurit asnjanës.