“Qeveria e Kosovës në 9 muaj ka realizuar 46 për qind të planit të saj vjetor”

Qeveria e Kosovës ka realizuar 46 për qind të planit të punës, apo 71 aktivitete nga 154 gjithsej sa i ka paraparë për periudhën janar-shtator 2020

Qeveria e Kosovës ka realizuar 46 për qind të planit të punës, apo 71 aktivitete nga 154 gjithsej sa i ka paraparë për periudhën janar-shtator 2020, raporton Anadolu Agency (AA).

Kjo është një nga të gjetjet e publikimit të “Monitorimit të Planit të Punës së Qeverisë për periudhën janar-shtator 2020”, nga organizata joqeveritare Lëvizja FOL.

Në këtë publikim janë monitoruar 15 ministri dhe Zyra e Kryeministrit të Kosovës për periudhën janar-shtator 2020.

Hulumtuesi nga Lëvizja FOL, Erblin Hoxha ka thënë se sa i përket Qeverisë së Kosovës, ajo nuk ka arritur të realizojë 54 për qind të aktiviteteve të parapara për periudhën e njëjtë.

“Nga gjithsej 154 aktivitete që janë paraparë të përfundohen deri në periudhën e shtatorit, e kemi parë që vetëm 71 aktivitete janë realizuar, pra diku rreth 46 për qind të aktiviteteve të planit të punës së Qeverisë janë realizuar ndërsa 83 aktivitete apo 54 për qind të aktivitete ende nuk janë realizuar”, tha Hoxha.

Sa i përket ministrive, pjesa më e madhe e tyre kanë realizuar pjesërisht aktivitetet e parapara, por ka pasur edhe nga ato ministri që i kanë realizuar të gjitha dhe nga ato që nuk kanë realizuar asnjë aktivitetet të paraparë.

“Ministria e Pushtetit Lokal është një prej ministrive që i ka paraparë 9 aktivitete dhe i ka realizuar që të gjitha. Kjo është një prej ministrive që e ka 100 për qind pjesën e realizimit ndërsa tek Ministria e Shëndetësisë, ndoshta edhe për shkak të pandemisë e shohim që të gjitha aktivitetet që janë paraparë për janar-shtator 2020 asnëj prej aktiviteteve nuk është përfunduar sipas planit të punës”, tha Hoxha.

Disa nga aktivitetet e parapara të Ministrisë së Shëndetësisë për këtë periudhë kanë qenë: Hartimi i Koncept Dokumentit për Pajisje dhe Produkte Mjekësore; Hartimi i Koncept Dokumentit për Sëmundje të Rralla; Plotësimi i Rregullativës Ligjore për Kujdesin Parësor Shëndetësor, etj.

Sa i përket monitorimit të Zyrës së Kryeministrit, sipas raportit, janë paraparë të realizohen 26 aktivitete për periudhën e njëjtë, nga to 10 (apo 37 për qind) janë përfunduar ndërsa 16 ( 59 për qind) ende nuk kanë përfunduar, kurse 4 për qind e aktiviteteve ende janë në proces dhe “të padefinuara”.

Lëvizja FOL këto të dhëna i ka marrë nga sekretarët e institucioneve përkatëse. Ndërsa në konferencë u tha se edhe pse në periudhën janar-shtator është ndërruar udhëheqja e Qeverisë, aktivitetet të cilët janë monitoruar kanë qenë punë të cilat “kanë mundur të nisen dhe përfundohen edhe pa qenë Qeveria funksionale”.