“Qeveria e Libisë e vendosur për vazhdimin e ofensivës derisa Haftari nuk tërhiqet”

Çavuşoğlu tha se qeveria e Libisë është e vendosur për vazhdimin e ofensivës së saj përsa kohë që forcat e Haftarit nuk tërhiqen nga qyteti bregdetar Sirte dhe rajoni Al-Jufra në të cilin ndodhet baza ajrore ushtarake strategjike

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu deklaroi se qeveria e Libisë mund të pranojë armëpushimin që do t’i japë fund konflikteve, vetëm nëse forcat e Khalifa Haftarit, liderit të forcave të armatosura jolegjitime në lindje të vendit tërhiqen nga rajonet Sirte dhe Al-Jufra dhe rikthehen në linjat e vitit 2015, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Financial Times” publikoi pjesën e intervistës lidhur me Libinë me titullin “Turqia thotë se nuk do të ketë armëpushim në Libi pa u tërhequr Haftari”, që Çavuşoğlu e dha për gazetën gjatë vizitës së tij më 8 korrik në Londër.

Në intervistën e tij, Çavuşoğlu tha se qeveria e Libisë është e vendosur për vazhdimin e ofensivës së saj përsa kohë që forcat e Haftarit nuk tërhiqen nga qyteti bregdetar Sirte dhe rajoni Al-Jufra në të cilin ndodhet baza ajrore ushtarake strategjike.

Duke vënë në dukje rrezikun që ka shfaqur konflikti në Libi i cili po kthehet në një luftë të deleguar, Çavuşoğlu tërhoqi vëmendjen se ashtu sikurse kanë paralajmëruar edhe diplomatët rritja e tensioneve mund të kalojë në një fazë të re e cila rrezikon të nxisë një konflikt të drejtpërdrejt mes forcave të huaja që mbështesin palë të ndryshme në Libi.

Lidhur me sulmin ajror që u ndërmor ndaj bazës ajrore Al-Watiya në veriperëndim të vendit, Çavuşoğlu tha se në lidhje me sulmin po zhvillohen hetime dhe se përgjegjësit do të japin llogari.

Ai theksoi se gjatë sulmit në bazën ajrore Al-Watiya që u çlirua më 18 maj nga milicët e Haftarit, ndodheshin edhe trajnuesit dhe personeli teknik turk por që asnjëri prej tyre nuk u dëmtua.

“Rusia në bisedimet e zhvilluara në Stamboll muajin e kaluar paraqiti një propozim për armëpushim duke përcaktuar një datë dhe orë konkrete”, rikujtoi Çavuşoğlu duke shtuar se në bisedimet e Turqisë me qeverinë e Libisë, zyrtarët libianë paraqitën parakushtet që milicët e Haftarit të tërhiqen nga Sirte dhe Al-Jufra si dhe të tërhiqen në linjat e vitit 2015.

“Tani procesi varet nga pala tjetër. Ata duhet të pranojnë këto parakushte për një armëpushim të vazhdueshëm”, tha Çavuşoğlu.

Ndërsa në pyetjen nëse është e shqetësuar Turqia nga rreziku se mund të tërhiqet në një konflikt më të gjerë, Çavuşoğlu u përgjigj: “Ne në rajon nuk mbështesim rritjen e ndonjë tensioni apo të ndonjë lufte, por ata (mbështetësit e Haftarit) janë të ndërlidhur me puçistin Haftar”, tha ministri Çavuşoğlu.