Qeveria e Maqedonisë së Veriut shpall gjendje krize

Periudha për ekzistimin e gjendjes së krizës në territorin e Maqedonisë së Veriut është 30 ditë, duke filluar nga sot, ndërsa qeveria do të informojë presidentin dhe Kuvendin për këtë vendim

Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi vendim për shpalljen e gjendjes së krizës në tërë territorin e vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në njoftimin e qeverisë thuhet se kjo bëhet me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik shkaku i pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19) dhe në mënyrë që të parandalohet përhapja e tij në një vëllim të shtuar, i cili rrezikon sigurinë e popullatës.

“Kjo bëhet me propozimin e Komitetit Drejtues për koordinimin dhe menaxhimin e sistemit të menaxhimit të krizave, me propozimin e mëparshëm të Grupit të Vlerësimit. Më herët, Këshilli i Sigurimit në seancë rekomandoi shpalljen e gjendjes së krizës në të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në mënyrë që të trajtohen në mënyrë efektive pasojat e krizës për shkak të krizës së koronës”, thuhet në kumtesë.

Periudha për ekzistimin e gjendjes së krizës në territorin e Maqedonisë së Veriut është 30 ditë, duke filluar nga sot, ndërsa qeveria do të informojë presidentin dhe Kuvendin për këtë vendim.

Në qeveria njoftojnë se do t’i propozojnë presidentit të vendosë për pjesëmarrjen e disa anëtarëve të Ushtrisë në ballafaqimin me krizën.

Qeveria gjithashtu erdhi në përfundimin se Shtabi i Përgjithshëm i Qendrës së Menaxhimit të Krizave duhet të fillojë menjëherë përgatitjen e një Plani të Veprimit për parandalimin dhe menaxhimin e përhapjes së koronavirusit, si dhe një rishikim të plotë të burimeve njerëzore dhe materiale-teknike me të cilat disponon dhe një plan për veprim të koordinuar.

“Qeveria gjithashtu vendosi që Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Shëndetësisë, Ushtria, Qendra e Menaxhimit të Krizave dhe Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim të vendosin në dispozicion të gjitha kapacitetet dhe burimet në funksion të trajtimit të krizës”, thuhet në kumtesë.

Kujtojmë se për shkak të situatës me koronavirusin, qeveria më 13 mars shpalli situatë krize në komunat e Dibrës dhe Qendër Zhupa për një periudhë prej 30 ditësh.

Presidenti Pendarovski, shpalli gjendje të jashtëzakonshme për herë të parë në vend në 18 Mars. Kjo u pasua nga disa tjera sipas së cilave gjendja e jashtëzakonshme zgjati deri më 14 qershor, kur presidenti hoqi plotësisht masën.

Aktualisht, në vend janë në fuqi disa masa kundër përhapjes së pandemisë, duke përfshirë mbajtjen e detyrueshme të maskave në hapësira të hapura dhe të mbyllura, funksionimin deri në ora 21:00 të restoranteve dhe kafeneve, si dhe ndalimin e tubimeve të më shumë se katër personave në hapësira të brendshme ose të jashtme.

Sipas të dhënave të sotme të Ministrisë së Shëndetësisë, numri i përgjithshëm i rasteve të diagnostikuara me koronavirus në vend arriti në 52449. Prej tyre, 30.952 janë shëruar dhe 1.462 kanë humbur jetën, ndërsa 20.035 llogariten si raste aktive.