Qeveria gjermane huamarrje rekord për të luftuar Covid-19

Gjermania planifikon të shesë 218.5 miliardë euro borxh shtesë këtë vit, që është ekuivalente me 6.5% të PBB. 

Kabineti i kancelares Angela Merkel kaloi këtë Javë një buxhet shtesë për të financuar paketën e stimujve, duke e çuar huamarrjen e re në një rekord prej 218.5 miliardë euro këtë vit, për të luftuar krizën e koronavirusit.  Kjo lëvizje tregon se sa larg e ka çuar Gjermaninë nga strategjia e buxhetit të balancuar ministri i Financave Olaf Scholz, duke e kthyer në një nga shpenzuesit më të mëdhenj të Eurozonës gjatë pandemisë.

Scholz theksoi se Gjermania mund ta përballojë këtë “akt të fuqizimit fiskal”, për shkak se qeveria ka reduktuar barrën e borxhit gjatë periudhave të mira ekonomike, duke patur financa publike të forta.  “Nuk do kursehemi në periudhë krize”, tha Scholz.  Ministri i Financave shtoi se Gjermania po përfiton nga kostot rekord të ulëta të huamarrjes, që do ta ulin faturën e Berlinit për shërbimin e borxhit në 9 miliardë euro këtë vit, nga 12 miliardë euro që ishte vitin e kaluar, pavarësisht huamarrjes shtesë.

Gjermania planifikon të shesë 218.5 miliardë euro borxh shtesë këtë vit, që është ekuivalente me 6.5% të PBB.  Gjermania pret që raporti i borxhit ndaj Produktit të Brendshëm Bruto të rritet në 77% në vitin 2020, nga poshtë 60% që ishte në 2019-n.  Defiçiti publik pritet të rritet në 7.25% të PBB këtë vit, nga një sufiçit prej 1.5% vitin e kaluar.   Gjermania ka planifikuar të prezantojë masa të stimujve me vlerë mbi 130 miliardë euro në total,  ku pjesa më e madhe do të akordohet në gjysmën e dytë të vitit. Ndër masat përfshihet një ulje e përkohshme e tatimit mbi vlerën e shtuar, pagesa të njëhershme për familjet, fonde për të shpëtuar firmat e vogla nga falimentimi, incentiva për makinat elektrike dhe injeksione në formën e parasë cash’ për të stabilizuar sistemin e sigurimit social. /Scan