Qeveria në detyrë e Kosovës ndan 250 mijë euro për Koalicionin Global kundër DEASH-it

“Kosova është e gatshme ta përkrah koalicionin kundër terrorizmit në aspektin ushtarak, policor, të inteligjencës, por edhe të aspekteve tjera”, tha Haradinaj

Qeveria në detyrë e Kosovës ka marrë vendim sot për ndarjen e 250 mijë eurove nga buxheti shtetëror i Kosovës për Koalicionin Global kundër DEASH-it, raporton Anadolu Agency (AA).

Kabineti qeveritar i dha aprovimin një propozimi në një mbledhje të Qeverisë së Kosovës me të vetmen pikë të rendit të ditës shqyrtimin e projekt-propozimit për ndarjen e një fondi në mbështetje të luftës kundër terrorizmit si një anëtare e Koalicionit Global kundër DEASH-it.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas mbledhjes së qeverisë, në një konferencë për media, tha se Kosova me këtë veprim edhe njëherë tregon gatishmërinë e saj për luftën kundër terrorizmit. Ai tha se mbështetja nuk kufizohet vetëm me paratë e ndara, por edhe me forca të vendit.

“Njëkohësisht sot kemi kryer edhe obligimin financiar, në këtë rast e kemi shtuar shumën. Vitin që shkoi kanë qenë 100 mijë euro. Kësaj here Kosova ka vendosur të ndajë për koalicionin global kundër terrorizmit 250 mijë euro. Nuk është vetëm aspekti financiar, është edhe ai ushtarak, policor, inteligjencës, është edhe logjistik ngase ju e dini që ne kemi kthyer nga vendluftimet nëna dhe fëmijë”, tha Haradinaj.

Ai theksoi se Kosova në aspektin financiar për këtë çështje “është në fitim”, ngase më shumë ka bërë koalicioni kundër-terrorizëm për Kosovën sesa ajo për vete. Për këtë përmendi kthimin e mëse 100 të kthyerve nga Siria në Kosovë gjatë vitit të kaluar.

“Kosova ka bërë shpenzime të koalicionit më shumë se sa paratë e saj që i ka dhënë. Pra, nëse i marrim gjithë këta njerëz (të kthyerit nga Siria), kostoja e kthimit të tyre, bartja, një pjesë e madhe e këtyre operacioneve nuk janë bërë me buxhet të Kosovës por janë bërë në kosto të koalicionit. Ky kontribut i joni është shumë më pak sesa sa do të bëhej t’i kthenim nënat dhe fëmijët tanë”, tha Haradinaj.

I pyetur nga AA se përse është marrë vendimi pikërisht në këtë kohë, kur presidenti amerikan Donald Trump veçse ka thënë se e kanë mposhtur DEASH-in 100 për qind, Haradinaj tha se “Amerika bazohet në informatat që ajo ka, ndërsa jo të gjitha i kemi të përbashkëta. Ne bazohemi në dijeninë tonë dhe Koalicionit Global kundër terrorizmit”, tha ai.

Haradinaj tha se në Kosovë ka siguri edhe për jetën dhe për pronën. Ai tha se nuk shohin ndonjë rrezik për shkak të implikimeve në të kaluarën, megjithatë tha se Kosovës mund t’i ndodhë prapë që do t’i duhet të kthejë qytetarë nga këto zona.