Qeveria shqiptare do të ndërtojë 10 mijë apartamente të reja për të pastrehët nga tërmeti

Kryeministri i vendit, Edi Rama deklaroi sot në mbledhjen e qeverisë se ka filluar ristrukturimi i buxhetit për vitin 2020, në kuadër të masave që do të merren për përballimin e pasojave të tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit, ku përfshihet edhe strehimi i mijëra personave të dëmtuar.

Kryeministri i vendit, Edi Rama deklaroi sot në mbledhjen e qeverisë se ka filluar ristrukturimi i buxhetit për vitin 2020, në kuadër të masave që do të merren për përballimin e pasojave të tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit, ku përfshihet edhe strehimi i mijëra personave të dëmtuar.

Kreu i qeverisë propozoi ndërtimin e tri lagjeve të reja në Durrës, Tiranë e Kurbin, pallatet e të cilave u shkatërruan nga tërmeti i datës 26 nëntor, ndërsa premtoi se në këto zona, që janë edhe më të prekurat, do të ndërtohen 10 mijë apartamente të reja.

“Do të ndërtojmë në Durrës një lagje komplet të re, që do të jetë lagjja më e më e bukur pas vitit 1990. Në Tiranë kemi në diskutim një skenar për të ndërtuar një lagje komplet të re dhe një tjetër për të ndërtuar dy lagje më të vogla. Edhe në Kurbin, gjithë pallatet që kemi vizituar dje do shemben dhe do të ndërtojmë një lagje të vogël të re”, – tha kryeministri, raporton EuroNews.

Sipas kreut të ekzekutivit, ndërtimi i këtyre lagjeve nuk do të bëhet vetëm për të prekurit nga tërmeti.

“Kemi një objektiv afatmesëm prej 10 mijë apartamentesh, sepse mund të përfshijmë jo vetëm ata që janë drejtpërdrejtë të prekur, por edhe të tjerë që janë me probleme sociale”, – tha më tej kreu i qeverisë.

Në mbledhjen e qeverisë kryeministri deklaroi se është bërë një ristrukturim i buxhetit të vitit 2020 ku 0.4% e prodhimit të brendshëm bruto ose ekuivalente me 57 milionë euro do të shkojë për programin e rindërtimit.

Tërmeti i fortë që goditi vendin mëngjesin e 26 nëntorit la pas 51 viktima, qindra të plagosur, por edhe mijëra të pastrehë që mbetën në rrugë të madhe pasi banesat e tyre u shembën ose u bënë të pabanueshme nga goditja e fortë 6,4 ballë e shkallës Rihter.

Kështu sipas të dhënave më të fundit që vijnë nga ministri Fuqiplotë për Adresimin e Pasojave të Tërmetit deri më tani  janë shtëpi të shembura: 1183 (Durrës 1050, Tiranë 131, Dibër 2); shtëpi të dëmtuara rëndë: 5497 (Durrës 1311, Tiranë  3821, Lezhë 168, Kukës 150, Dibër 13, Elbasan 34); shtëpi të dëmtuara lehtë: 3520 (Tirana 3199, Dibër 73, Elbasan 248); pallate të dëmtuara rëndë: 558 (Durrës 35, Tiranë 461, Lezhë 56, Kukës 4, Dibër 1, Elbasan 1); Pallate të dëmtuara lehtë: 335 (Tiranë 328, Elbasan 7).

Lajme të ngjashme