Qindra të helmuar në Krujë/ Ndërpritet uji dhe priten analizat. Pista kryesore: Helmimi nga uji i turbullt

Rreth 370 persona janë paraqitur në spitalin e Krujës me simptoma helmimi, ndërsa vetëm ditën e sotme ka pasur një fluks të pacientëve të helmuar, rreth 60 persona, të cilët janë paraqitur për të marrë shërbim mjekësor.

Qytetarë të grupmoshave të ndryshme, kryesisht fëmijë, adoleshente dhe të moshuar kanë kërkuar trajtim mjekësor. Ata janë shfaqur me shenja të dukshme të helmimit, si diarre, të vjella dhe temperaturë. Koha mesatare që banorët krutantë kalojnë në spital është rreth dy orë dhe më pas largohen drejt banesës së tyre.

Momentalisht janë vetëm 30 banorë të cilët po marrin shërbim mjekësore në spitalin e Krujës. Kryesisht aplikohet serumi dhe më pas u jepet një recetë mjekësore për të luftuar shenjat e helmimit.

Rreth 80% e banorëve të Krujës pinë ujë nga çezma dhe kjo është pista kryesore që po hetohet, që mund të ketë shkaktuar helmimin.

Ministrja Manastirliu së bashku me Silva Binon dhe prefektin e Krujës kryen inspektimet nga afër ditën e sotme, ndërsa theksuan se duke qenë se banorët e helmuar janë nga zona të ndryshme pista kryesore është cilësia e ujit, pra janë helmuar për shkak të ujit të turbullt.

Mësohet se janë kryer vetëm analizat e para por për të marrë rezultatin duhet të presim 32 orë për një përgjigje përfundimtare. Sikundër e kanë shtrirë hetimin në disa ushqime, por pista kryesor mbetet uji.

Ndërkaq, për shkak se është ndërprerë edhe furnizimi me ujë, Prefekti i Krujës deklaroi se do të mundësohet uji i pijshëm nga bashkia e Krujës për të gjithë banorët.