10.5 C
Tiranë
E hënë, 29 Nëntor, 2021

Qytetarët e vendeve të rajonit për sulmet izraelite: Konflikti duhet të ndalet, është jonjerëzore të vriten fëmijë

Një pjesë e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, pa dallim përkatësisë etnike dhe fetare të tyre, janë të bashkuar në qëndrimin se sulmet izraelite në Gaza duhet të ndalet dhe se është jonjerëzore që të vriten fëmijë, ndërsa për tensionet që rezultojnë, sipas tyre fajtorë janë politikanët, raporton Anadolu Agency (AA).

Në anketën e shkurtër të AA-së, qytetarët u përgjigjën nëse janë të njoftuar me ngjarjet e fundit me sulmet e Izraelit mbi palestinezët, për humbjen e jetëve të civilëve, veçmas ndaj numrit të madh të fëmijëve.

“Konfliktet duhet të marrin fund, kjo nuk lejohet në civilizimet normale. Luftërat nuk sjellin asgjë të mirë”, tha banori i Shkupit, i cili dëshiron të mbetet anonim.

Lidhur me vdekjen e fëmijëve, ai tha se “kjo është për t’u dënuar fuqishëm”.

Pensionisti Milan Avramovski tha se ai ndoqi sulmet izraelite ndaj palestinezëve përmes lajmeve në televizione dhe theksoi se kjo është diçka e pa imagjinueshme në shekullin 21.

Lidhur me sulmet izraelite ndaj palestinezëve, shkupjanja Mira Kostiç tha se konflikti, për fat të keq, është pasojë e gabimeve historike dhe lëshimeve të fuqive të mëdha. Ajo tha se konflikti palestinezo-izraelit nuk mund të zgjidhet pa ndërmjetësim të fortë ndërkombëtar.

“Fëmijët fatkeqësisht vdesin në të gjitha konfliktet që bëjnë të rriturit, pa marrë parasysh në cilën anë janë. Dhe më e keqja nga të gjitha është se kjo po kthehet në një konflikt fetar që nuk është mirë. Sepse nëse përplasjet fillojnë të kthehen në përplasje fetare, do të kthehemi në kohën e luftërave të kryqëzatave”, theksoi Kostiç.

Po ashtu edhe Bejadin Akia dënoi vrasjen e fëmijëve.

“Duhet të ketë njëfarë vëmendje nga e mbarë bota. Të ndërmerren masa dhe të shihet se ku është shkaku”, theksoi Akia.

Ndërsa shkupjani Alko për AA tha se nuk është mirë që Izraeli të merr tokën e palestinezëve ku ata jetojnë, si dhe shtoi se situata nuk është e mirë. Sipas tij, në zgjidhjen e problemit duhet të ndihmojnë Bashkimi Evropian (BE) dhe SHBA.

“Sigurisht duhet të marrin pjesë edhe vendet arabe meqë janë më afër dhe të ndihmojnë për fëmijët dhe familjet që bombardohen atje, e jo të flejnë, siç është Dubai (kryeqyteti i Emirateve të Bashkuara Arabe), ai është shtet i pasur. Duhet të ndihmojnë”, shtoi Alko.

Kujtojmë se më 14 maj, Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut në profilin zyrtar të MPJ-së në rrjetin social twitter e ri-postoi statusin e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula fon der Leyen, ku thuhej se, “Shumë jam e shqetësuar për situatën në Izrael dhe Gaza. I dënoj sulmet jo-selektive të Hamasit mbi Izrael. Civilët e të gjitha palëve duhet të mbeten të mbrojtur. Dhuna duhet të përfundojë tani”.

Shqipëri, qytetarët solidarizohen me popullin palestinez dhe dënojnë vrasjet e civilëve

Sulmet e vazhdueshme të Izraelit ndaj palestinezëve që kanë shkaktuar qindra viktima mes tyre edhe fëmijë, kanë sjellë edhe reagime të shumta të institucioneve, organizatave të shoqërisë civile, por edhe qytetarëve.

Në Shqipëri u organizuan edhe protesta në mbështetje të Palestinës disa ditë më parë, ndërkohë qytetarët shqiptarë për Anadolu Agency (AA), dënojnë vrasjen e civilëve të pafajshëm nga sulmet izraelite si dhe solidarizohen me popullin palestinez.

Dashamir Kalaja, një qytetar nga Tirana tregon se ai ka ndjekur me shumë shqetësim zhvillimet rreth konfliktit Izrael-Palestinë.

“Populli palestinez është me mijëra vjet aty autokton. Shumica e qeverive të botës janë të blera, nuk janë të drejta dhe mbajnë krahun e Izraelit dhe qeverisë së Izraelit se populli mund të jetë i drejtë. Kjo është padrejtësi e madhe”, thekson Kalaja.

Ai i dënon fuqishëm sulmet ndaj fëmijëve dhe të moshuarve palestinezë, duke theksuar se këtë nuk e përmban asnjë fe dhe as konventat.

Kalaja thekson se Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, është i vetmi lider që ka ngritur zërin. “Po të ngrihen të gjithë muslimanët, udhëheqësit si Erdoğani, Izraeli vdes vetvetiu. Do burrëri kjo punë, do zemër dhe shpirt, sepse ata janë pjesë e jona, janë fëmijë. Edhe sikur të ishin fëmijë të krishterë ne do na vinte keq, jo më për fëmijët muslimanë që janë në tokat e veta dhe në të drejtat e veta”, thekson më tej Kalaja.

Ladimir Çiba është një tjetër qytetar nga Tirana i cili shpreh solidaritetin e tij me popullin palestinez, duke theksuar se palestinezët kanë vuajtur shumë nga sulmet dhe padrejtësitë e Izraelit.

Çiba thotë se krimet ndaj civilëve të pafajshëm palestinezë duhen ndëshkuar që mos të përsëriten.

“I ndjek pothuajse çdo ditë ato ngjarje që ndodhin në atë rajon. Sulme të tilla duhen të ndalohen menjëherë sepse nuk mund ta pësojnë të pafajshmit. Është shumë e dhimbshme të shikosh fotografitë e fëmijëve palestinezë të masakruar në sulme”, tha ai.

Çiba shtoi se edhe shteti shqiptar duhet të mbajë qëndrim zyrtar për masakrat ndaj palestinezëve.

Kastriot Osmani, një tjetër qytetar e konsideron konfliktin dhe sulmet si të pahijshme. “Aq më keq për fëmijët dhe gjitha viktimat janë patjetër të pafajshëm. Çdo njeri ka të drejtë të jetojë në tokë dhe është e drejta dhe liria e tyre të jetojnë, për më tepër e atyre që kanë vite e shekuj që jetojnë e nuk janë mysafirë”, shprehet Osmani.

Ai thekson se e mira do të ishte që të gjitha shtetet të jepnin kontributin e tyre për zgjidhjen e konfliktit.

Andi Kolonja një tjetër qytetar tregon se i ka ndjekur zhvillimet e fundit rreth konfliktit Izrael-Palestinë dhe sidomos sulmet e forcave izraelite ndaj palestinezëve.

“Njerëzit janë të pafajshëm dhe nuk kanë bërë krime. Ata fëmijë janë të pafajshëm, janë krijesa të Zotit dhe nuk është mirë për dhunën. Duhet vetëm paqe, sa më shumë paqe”, u shpreh Kolonja.

Kujtojmë se disa ditë më parë në Shqipëri u mbajtën edhe protesta në mbështetje të Palestinës, duke u dënuar sulmet fundit nga forcat izraelite që kanë shkaktuar viktima të shumta në mesin e palestinezëve.

Pas nisjes së konflikteve të fundit, reagoi edhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë (MEPJ) e cila në reagimin e saj të publikuar në rrjetet sociale, theksoi se “Shqipëria është thellësisht e shqetësuar për përshkallëzimin e dhunës në Jerusalem (Kuds) dhe brenda dhe përreth Gazës”.

“Sulmet me raketa kundër Izraelit janë të pajustifikueshme dhe rrezikojnë një përshkallëzim serioz të dhunës e cila do të sillte një dëm për civilët izraelitë dhe palestinezë. Ne u bashkohemi thirrjeve të miqve dhe aleatëve tanë që qetësia të rikthehet dhe përshkallëzimi i mëtejshëm të shmanget”, u theksua në reagimin e MEPJ-së.

Qytetarë nga Kosova dënojnë vrasjen e civilëve palestinezë nga Izraeli

Vende të ndryshme të botës kanë dënuar sulmet e Izraelit ndaj Palestinës të cilat shkaktuan mbi 200 viktima palestineze civile që nga muaji i Ramazanit, kur tensionet u rritën si rezultat i sulmeve izraelite ndaj besimtarëve muslimanë në xhaminë Al-Aksa dhe në lagjen Sheikh Jarrah të Kudsit Lindor.

Disa qytetarë të Kosovës e kanë konsideruar “konfliktin” që po ndodhë në Kuds ndërmjet Izraelit dhe Palestinës si të pabarabartë.

Duke folur për Anadolu Agency (AA), të gjithë i kanë dënuar sulmet izraelite ndaj civilëve të pafajshëm palestinezë të pambrojtur. Madje, disa nga ta e kanë krahasuar “konfliktin” atje të ngjashëm me atë të Kosovës në vitin 1999, kur u vranë shumë qytetarë të pafajshëm.

Pensionisti 70-vjeçar Ferki Munishi thotë se “lufta në Rripin e Gazës midis izraelitëve dhe palestinezëve është e pabarabartë”.

“Dikush me armë moderne, dikush me raketa që nuk mund të arrijnë atje. Po bombardohen ndërtesa 15-katëshe, rrafshohen me tokë dhe pastaj synohet që faji t’u lihet atyre (palestinezëve), një situatë sikurse ajo e ‘deles dhe ujkut me ujin e turbulluar’. Edhe kjo është një lojë e tillë, nuk është hera e parë që ndodhë. Bota asgjë nuk reagon, Këshilli i Sigurimit llomotit duke kërkuar ndërprerje, por asgjë konkrete nuk ndodhë”, thekson Munishi.

Ai thotë se Izraeli ka mbështetjen e fuqive të mëdha dhe mund të bëjë çfarë të dojë dhe “dihet se ku ishte Palestina në vitin 1948 dhe ku është sot”.

Sherif Kolgeci nga Komuna e Suharekës, 82-vjeçar në pension thotë se sulmi i forcave izraelite ndaj palestinezëve brenda xhamisë Al-Aksa ishte një veprim i shëmtuar, por ai thotë se as palestinezët nuk duhet të provokojnë ndonjë reagim të palës tjetër.

“Ku është ajo Amerika e cila po lëvdohet nga të gjithë. Përse nuk ka hyrë ndërmjet dy shteteve dhe të mos lejojë vrasjen e njerëzve. Por, askush nuk është duke u përkujdesur për njerëz, por vetëm për xhepin e tyre. Ata duhet të ndërhyjnë menjëherë në këtë konflikt, jo të mbyten gjithë ata njerëz e të rrëzohen gjithë ato shtëpi”, thotë Kolgeci.

Ai thotë se “lufta ka qenë gjithmonë e keqe dhe asnjëherë nuk ka qenë e mirë”.

Nexhmije Salihu, 70-vjeçare nga Podujeva, me profesion rrobaqepëse thotë se ajo që po ndodhë me palestinezët i ngjan situatës së kosovarëve në luftën e vitit 1999, kur ishte e pambrojtur ndërsa duhej vetëm ndërhyrje nga jashtë për të shpëtuar.

Ajo thotë se “lufta duhet të ndërpritet, ngase edhe ne e kemi përjetuar atë dhe është shumë e keqe”.

“Kur e bombarduan banesën në Gaza më dolën lotët. Unë do të thosha që atje duhet të shkojnë t’u ndihmojnë palestinezëve gjitha shtetet, përfshirë edhe Kosovën. Izraeli ka përkrahje të madhe por edhe palestinezëve duhet t’u vije në ndihmë dikush”, theksoi ajo për AA.

Reshat Sahitaj, shkrimtar 70-vjeçar nga Prishtina thotë se krimet e bëra ndaj fëmijëve palestinezë, janë “dhunë që nuk duhej të ndodhte”.

Ai thotë se i ka përcjellë zhvillimet e fundit në Gaza dhe ka parë që bashkësia ndërkombëtare ka reaguar me deklarata, por pa ndërmarrë ndonjë hap efektiv.

“Për shembull, Franca nuk e përkrah as Izraelin as Palestinën, madje ajo përkrah më tepër Palestinën sesa Izraelin, por ata e përkrahin atë në mënyrë humanitare. Dihet që krimet, masakrat, lufta nuk janë të mira për asnjë popull”, thotë Sahitaj.

Bajram Shoshi 56-vjeçar nga Komuna e Pejës, inxhinier i padiplomuar thotë se sulmet izraelite ndaj palestinezeve janë gjynah i madh që në shekullin 21 të bëhet një terror i tillë.

Ai mendon se nuk dihet se ku po fshihet faji në këtë mes, por janë civilët palestinezë ata që po pësojnë.

“Politika është ajo që i fsheh fajet. Por, populli i shkretë, fëmijët, pleqtë, njerëzit e pafajshëm nuk kanë faj në këto raste. Nuk dua t’i mbroj asnjërën palë por pavarësisht çdo sulm që bëhet në popullatën e pambrojtur është tejet i papranueshëm”, theksoi Shoshi.

Kosova qëndrimin zyrtar ndaj konfliktit izraelito-palestinez që po ndodhë në Kudsin Lindor e dha të dielën.

Nëpërmjet një shkrimi në rrjetet sociale, Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës së Kosovës tha se Izraeli ka të drejtën e mbrojtjes së popullit të saj “kundër 2.000 raketave të shkrepura ndaj civilëve, vetëm nga Hamasi”.

“Si çdo shtet, Izraeli ka të drejtën dhe obligimin për të mbrojtur popullin e tij kundër 2.000 raketave të qëlluara mbi civilët vetëm nga Hamasi, i cili po mban peng civilët palestinezë në luftën e tij. Ne jemi të pikëlluar për të gjitha viktimat. Ne kërkojmë përmbajtje, ndalim të dhunës dhe gjetje të një zgjidhjeje paqësore”, thuhet nga Ministria e Jashtme.

Ky reagim nga Prishtina zyrtare vjen vetëm disa javë pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me shtetin e Izraelit në shkurt të këtij viti, kur Kosova hapi zyrtarisht ambasadën e saj në Kuds (Jerusalem), duke u bërë vendi i tretë pas SHBA-së dhe Guatemalës, që e hidhte një hap të tillë.

Për tu Lexuar

Të Fundit

Lajme të Ngjashme