Rama dhe Lavrov bisedojnë mbi krizën në Bjellorusi

"Palët diskutuan mbi situatën në Bjellorusi në kontekstin e propozimeve të Kryesisë Shqiptare të OSBE-së për të kontribuuar në zhvillimin e dialogut midis autoriteteve dhe opozitës"

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në cilësinë e kryetarit të radhës së Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ka realizuar një bisedë telefonike me ministrin e Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, Sergey Lavrov, me fokus krizën në Bjellorusi dhe zhvillimet në Ukrainë, transmeton Anadolu Agency(AA).

Në një njoftim të Ambasadës së Rusisë në Tiranë të publikuar në rrjetet sociale, thuhet se biseda është realizuar me iniciativën e palës shqiptare dhe theksohet se palët diskutuan mbi situatën në Bjellorusi në kontekstin e propozimeve të Kryesisë Shqiptare të OSBE-së për të kontribuuar në zhvillimin e dialogut midis autoriteteve dhe opozitës.

“Ministri Lavrov vuri në dukje se është e nevojshme që bjellorusët të lejohen të zgjidhin vetë punët e tyre, të mos ketë ndërhyrje në dialogun midis autoriteteve dhe shoqërisë dhe t’u mos u imponohet shtetasve bjellorusë asgjë nga jashtë, në mënyrë që të shmanget përvoja e trishtë e ‘ndërmjetësimit evropian’ në Ukrainë në shkurt 2014″, thuhet në njoftim.

Gjithashtu theksohet se Rama dhe Lavrov “rikonfirmuan rolin e rëndësishëm të Misionit Special të Monitorimit të OSBE-së në përpjekjet për të zgjidhur konfliktin e brendshëm ukrainas, duke përfshirë nevojën për të përgatitur raporte objektive për atë që po ndodh në të dyja anët e linjës së kontaktit në Donbas”.

Kujtojmë se OSBE ka paraqitur një ofertë zyrtare në qeverinë e Bjellorusisë për një vizitë nga kryetari i OSBE-së, Kryeministri dhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Edi Rama, dhe ministrja e Punëve të Jashtme të Suedisë, Ann Linde, që merr kryesimin e ardhshëm të organizatës, për takime me përfaqësuesit e qeverisë dhe përfaqësuesit e opozitës në Bjellorusi.

Ndërkohë, edhe Bashkimi Evropian ka ofruar mbështetje për një angazhim të mundshëm të OSBE-së në vendosjen e dialogut mes palëve në Bjellorusi.

Protestat masive kundër rezultateve të zgjedhjeve kanë filluar që nga 9 gushti në gjithë Bjellorusinë. Sipas rezultateve zyrtare të vendit, Alexander Lukashenko, i cili ka qeverisur Bjellorusinë për 26 vite, fitoi zgjedhjet e fundit me 80,1 për qind të votave. Rivalja e tij kryesore, Svetlana Tikhanovskaya, grumbulloi vetëm 10,12 për qind të votave.