Kryeministri Rama ka njoftuar se duke filluar nga dita e hënë, do të ketë një sërë lehtësimesh për qytetarët si dhe hapja e një sërë biznesesh në ato që janë cilësuar si kategori me risk të ulët.
Në lidhje live në ERTV, Rama dha një lajm të mirë për pensionistët, duke deklaruar se teksa ditën e nesërme askujt nuk i lejohet të dalë, të gjithë pensionistët mund të dalin deri në orën 11:00 të pasdites, mundësisht të shoqëruar vetëm nga një pensionist/e tjetër dhe duke mbajtur distancim.
Rama tha se duke filluar nga java e ardhshme, të gjithë ata që duan të shkojnë në punë përmes makinës, mund të lëvizin lirshëm vajtje- ardhje duke marrë një leje javore, e madje edhe duke marrë një tjetër punonjës në automjet.
Por teksa Rama foli për lehtësira edhe më të mëdha pas përfundimit të javës së ardhshme, ai ka paralajmëruar se kush do të shkelë rregullat, do të përballet me gjoba të rënda e deri në burgosje.
Rama: E para hapja graduale, të jemi të vetëdijshëm, ka riskun e saj, që do të thotë se ekziston mundësia e rikthimit, këtu ku jemi. Pra t’jemi tqartë, asnjë vend, asnjë ekspertizë nuk thotë se përsa kohë ka jetë infeksioni do të zhduket, pa dalë vaksina. Në një farë mënyre mund të thuhet se qyshse ka nisur kjo përballje, do të bashkëjetojmë duke bërë gjithçka për ta mbajtur nën kontroll. Ama varet nga të gjithë ne, sesa arrin virusi të na dëmtoj.
Ndërsa javën e ardhshme në platformën e-Albania do të mund të merret njësoj si për këmbësorët një autorizim javor për të gjithë ata që janë në punët e lejuara dhe automjeti do të mund të lëvizë për vajtje-ardhje në punë me vetëm një njeri tjetër brenda në sediljen e pasme diagonal i cili mund të jetë vetëm një koleg në të njëjtin vend pune. Kush merr lejen do ta lexojë mirë pasojën penale që vjen nga shkelja e mundshme.
Duke mësuar nga eksperienca e mëparshme ne do të bëjmë që nesër apo sot pasdite një test dhe do të provojmë mirëfunksionimin e këtij instrumenti që i jep fund një fazë aplikimesh në policinë e shtetit me e-mail ku edhe për shkak të shtrëngesave dhe kujdesit të madh të treguar nga policia ka pasur masivisht refuzime dhe brenda atyre refuzimeve masive ka pasur edhe raste refuzimesh apo mospërgjigjesh që u kanë shkaktuar dhimbje koke. Ndjesë për ato por shëndeti mbi të gjitha.
Po ashtu, javën e ardhshme do të autorizojmë edhe lëvizjen me automjet për arsye shëndetësore duke parë që kemi ndeshur në ankesa legjitime për arsye shëndetësore. Autorizimi duhet të mbështetet në një dokument shëndetësor që drejtuesi i mjetit duhet ta mbajë me vete. Lejemarrësi duhet ta lexojë mirë pasojë penale që vjen nga shkelja e mundshme.
Javën e ardhshme do të punojnë krejt lirisht brenda fashës apo me turne sipas natyrës së punës, të gjithë ata që do të jenë në kategoritë e lejuara që do të publikohet në faqen e e-Albania. Të gjitha bizneset e administratorët në këto kategori, duhet të sigurohen që të mësohet se cilat janë detyrat dhe të respektohet protokolli i sigurisë sipas rregullave të përcaktuara. Të mësojmë po ashtu edhe se cilat janë pasojat penale për shkelësit.
Javën e ardhshme duhet të përgatitemi të hapemi avash avash, kategoritë do të publikohen. Nga java e ardhshme, pasojat për shkelësit janë të rënda, në veçanti për trimat e lagjeve që hapin lokalet./EXPRESS


