Rama tregon planin dhe kujton kryebashkiakët: Garantoni burimet financiare, ose sanksione. Fond ekstra për bregdetin

Kryeministri Edi Rama ka kujtuar paralajmërimin e tij për kryebashkiakët e vendit, të cilët sipas tij kanë rolin primar dhe detyrë që të pastrojnë territorin e bashkive të tyre.

Ai tha se do të ketë sanksione ligjore për ata që nuk marrim masa. Po ashtu ai tha se do te kete nje fond ekstra per bregdetin dhe nje task-force qe do te mbikqyre kete proces.

“Të gjithë kanë përgjegjësi, por është koha që përgjegjësitë të kërkohen nga gjithsecili. Ne e kemi bërë të qartë dhe jemi në rrugën e zbatimit të asaj që kemi thënë dhe që e kam bërë të qartë ditën e prezantimit të programit të qeverisë se re në Kuvend. Asnjë bashki s’do i lejohet të bëjë gjë tjetër nëse nuk garanton të gjitha burimet financiare të nevojshme për pastrimin, nëse nuk garanton që ato burime përkthehen në rezultat konkret, territor të pastër dhe qëndrueshmërisht të pastër. Për herë të parë ministria e Mjedisit ka kostuar se sa i kushton çdo bashkie pastrimi. Në bazën e kostimit ka nxjerrë edhe objektivin për buxhetin e vitit tjetër të çdo bashkie.

Ministrja personalisht bashkë me të deleguarit do të jenë të pranishëm në mbledhjet e Këshillave bashkiakë. Çdo bashki sot ka në dispozicion një pikë fundore për mbetjet dhe është e patolerueshme që ato të grumbullohen në mes të rrugës. Pikat fundore janë qoftë pikat teknologjike të trajtimit të mbetjeve, apo landfillet. Asnjë bashki s’do të lejohet për arsye apo justifikim që në vend që t’i çoj mbështetjet e veta në pikat fundore, të krijojë pika të paligjshme. Ligji parashikon sanksione për kryetarët e bashkive dhe bashkitë. Është e patolerueshme që kryetarët e bashkive bregdetare ta konsiderojnë këtë si punë angari. Gjithçka tjetër mund të mos jetë në maksimumin, por pastrimi po. Do të vendosim një fond ekstra për bregdetin dhe do të krijojmë një task-forcë për Bregdetin që do iu vijë në ndihmë bashkive për buxhetin e ardhshëm. Çdo këshill bashkiak do ta rrëzojë buxhetin e kryetarëve të bashkive, nëse taksa s’do të shkojë për pastrimin e zonës.”, pohoi Rama.