Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jonathan Parish, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një komunikatë nga Zyra e Kryeministrit thuhet se gjatë këtij takimi Haradinaj ka njoftuar zv/ndihmës sekretarin Parish me situatën e përgjithshme të sigurisë në vend, për përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për rrugën euroatlantike, ndërkaq ka falënderuar NATO-n dhe trupat e KFOR-it për mbështetjen e paqes dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Gjatë takimit Haradinaj ka theksuar domosdoshmërinë e vazhdimit të pranisë së NATO-s në Kosovë, si dhe avancimin e bashkëpunimit për rritjen e profesionalizmit të institucioneve të sigurisë, veçmas atyre të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
“Forca e Sigurisë së Kosovës është një forcë profesionale, multietnike dhe e cila në të ardhmen do të jetë aleat i besueshëm përkrah miqve tanë euroatlantik”, ka thënë Haradinaj, duke kërkuar mbështetjen e mëtutjeshme të NATO-s në ngritjen e kapaciteteve profesionale të FSK-së.
Ndërsa, zv/Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Parish ka theksuar se NATO përmes KFOR-it do të vazhdojë të kontribuojë në forcimin e sigurisë dhe të stabilitetit në Kosovë, duke shprehur përkushtimin për bashkëpunim edhe në të ardhmen.



