Raporti i Venecias: Anulimi i zgjedhjeve, Meta tejkaloi kompetencat

Raporti paraprak i Komisionit të Venecias në lidhje me veprimet e Presidentit për anulimin e datës së zgjedhjeve ka mbërritur në Tiranë dhe ndodhet tashmë si në Kuvend, ashtu edhe në Presidencë.

Venecia e ka gjetur Kreun e Shtetit në tejkalim të kompetencave kushtetuese përsa i përket 30 Qershorit. Raporti pohon qartë se Presidenti Meta nuk i kishte kompetencat për të anuluar datën e zgjedhjeve. Ky arsyetim duket se lë në fuqi edhe zgjedhjet e 30 Qershorit, të paktën përsa i përket vlerësimit të Komisionit të Venecias.

Nga ana tjetër, ekspertët e Venecias nuk i vlerësojnë këto veprime të Presidentit si shkelje të rëndë kushtetuese, gjë që mund t’i kushtonte atij mandatin presidencial.

“Megjithëse Presidenti i tejkaloi kompetencat e tij kushtetuese duke anuluar dhe shtyrë zgjedhjet përtej mandatit elektoral të autoriteteve lokale pa bazë ligjore specifike, elementet e prezantuara më sipër mund të çojnë në përfundimin se këto veprime mund të mos kenë qenë aq të rënda sa për shkarkimin e Presidentit”, lexohet në raport.

Ndërkohë që raporti i Venecias duket se lejon Ilir Metën të qëndrojë në krye të Shtetit, burime nga mazhoranca i thanë A2 se i takon Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese që të vlerësojnë nëse bëhet fjalë për shkelje të rëndë apo jo.

Në raport thuhet gjithashtu se asnjë parti politike, sado popull apo elektorat të përfaqësojë, nuk ka të drejtën të bojkotojë zgjedhjet sepse do të ishte levë në duart e partive politike për të bllokuar zgjedhjet e radhës.