Raporti për ekonominë, FMN: Shqipëria vazhdon të goditet nga pasojat e pandemisë

FMN thotë në njoftim se drejtorët ekzekutiv përgëzuan autoritetet shqiptare për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe financiar deri më tani

Shqipëria ka përfituar nga ndihma financiare emergjente e FMN-së (rreth 190.5 milionë dollarë) e disbursuar nga Instrumenti i Financimit të Shpejtë në Prill 2020, i cili e lejoi të përmbushë nevojat urgjente të bilancit të pagesave që vijnë nga pasojat e tërmetit të Nëntorit 2019 dhe shpërthimit të pandemisë COVID-19.

Por si paraqitet gjendja në Shqipëri në sytë e FMN-së në këtë moment krize? “Kapaciteti i Shqipërisë për të ripaguar është i mjaftueshëm, por rreziqet janë rritur. Shqipëria vazhdon të preket rëndë nga pasojat e tërmetit dhe pandemisë. Autoritetet iu përgjigjën menjëherë goditjeve dhe stabiliteti makroekonomik dhe financiar janë ruajtur deri më tani. Ekonomia pritet të tkurret me 7 përqind në vitin 2020 dhe të rimëkëmbet gradualisht në 2021-22. Inflacioni pritet të mbetet i ulët para se të konvergojë në objektivin 3 për qind për periudhën afatmesme. Deficiti i llogarisë korente parashikohet të zgjerohet në më shumë se 10 përqind të PBB-së në 2020.

Perspektiva i nënshtrohet një pasigurie të madhe me rreziqe. Rreziqet negative janë duke u rritur pasi infeksionet e reja janë rritur ndjeshëm në Shqipëri dhe shumë vende të tjera të Evropës në vjeshtë. Një pandemi më e rëndë do të dëmtojë më tej perspektivën ekonomike të Shqipërisë, përmes turizmit më të dobët, remitancave, kërkesës së jashtme. Borxhi i lartë i Shqipërisë, rreziqet fiskale në rritje dhe një nivel relativisht i lartë i huave me probleme paraqesin gjithashtu sfida” thotë FMN.

FMN thotë në njoftim se drejtorët ekzekutiv përgëzuan autoritetet shqiptare për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe financiar deri më tani. “Drejtorët theksuan se mbështetja për ekonominë duhet të vazhdojë në 2021, por duhet të jetë subjekt i transparencës dhe llogaridhënies. Ata i nxitën autoritetet të rregullojnë sa më shpejt që të jetë e mundur masat e jashtëzakonshme në menaxhimin e financave publike të marra gjatë emergjencës. Një strategji e shëndoshë e të ardhurave afatmesme duhet të miratohet dhe zbatohet pa vonesa të mëtejshme. Ndryshimet e shpeshta, ad hoc në politikën tatimore dhe skemat e amnistisë tatimore duhet të shmangen” thuhet në deklaratë ndër të tjera./ db/Abcnews.al