Mëngjesin e sotëm kanë tronditur Sri Lankën disa sulme ndaj kishave dhe hoteleve, si pasojë e të cilëve 207 persona mbetën të vdekur dhe 450 të plagosur, raporton Anadolu Agency (AA).
Reagime të shumta janë bërë nga liderë botërorë, të cilët kanë dënuar sulmet terroiste, në mesin e të cilëve ka reaguar edhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, dhe ai amerikan, Donald Trump.
“E dënoj ashpër dhe në mënyrë të fuqishme e mallkoj sulmin jo human në tempujt fetarë. Ky sulm barbar, edhe një herë ka demonstruar nevojën për një luftë vendimtare me të gjitha format kundër terrorit”, tha presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan në deklaratën me shkrim.
Ndërsa presidenti i SHBA-ve në llogarinë e tij në Twitter ka shkruar: “Shtetet e Bashkuara shprehin ngushëllimet për popullin e Sri Lankës dhe ne jemi të gatshëm për të ndihmuar”.
Kreu i Kishës Katolike, Papa Françesku dënoi ashpër sulmet serike me bombë mëngjesin e sotëm gjatë festës së pashkëve.
Papa Françesku gjatë lutjes tradicionale të pashkëve në sheshin e Shën Pjetrit dënoi sulmet.
“Dua t’i shpreh afërsi dha dashuri komunitetit krishter i cili ishte shënjestër e sulmeve në kohën e lutjes dhe të gjitha viktimat e shunës së tmerrshme”, tha Papa Françesku.
Papa gjithashtu u lut për vitktimat dhe u dëshiroi shërim të shpejtë të plagosurve.
Reagim ka ardhur edhe nga Këshilli Musliman i Sri Lankës (MCSL) i cili ka dënuar sulmet terroriste.
“Dënojmë sulmet ndaj faltoreve të vëllezërve të krishterë në ditën e Pashkëve dhe ndaj hoteleve në Colombo”, tha MCSL në një deklaratë.
Këshilli Musliman ka shprehur pikëllim për, siç thuhet, humbjen e jetëve të njerëzve të pafajshëm si pasojë e elementeve të dhunës dhe ekstremistëve të cilët synojnë të krijojnë ndarje në mesin e grupeve fetare dhe etnike për t’i realizuar agjendat e tyre.
Në deklaratë thuhet se të gjitha mësimet themelore fetare janë për paqe dhe drejtësi dhe se të gjitha format e dhunës dhe ekstremizmit dënohen fuqimisht.
MCSL i ka bërë thirrje presidentit Maithripala Sirisena dhe qeverisë të kryejnë një hetim gjithëpërfshirës dhe të nxjerrin para drejtësisë autorët e sulmit.
Po ashtu, këshilli ka kërkuar t’u ndihmohet edhe personave nga komuniteti musliman të ndikuar nga sulmi, duke shprehur ngushëllime për familjet e viktimave dhe duke u uruar shërim të shpejtë të plagosurve.
Ndryshe, në orët e mëngjesit në vend janë kryer sulme ndaj një kishe në Batticaloa, ndaj kishave St. Anthony’s në Kochchikade dhe St.Sebastian në Katana, si dhe ndaj hoteleve me pesë yje Shangri-La, Cinnamon Grand dhe Kingsbury në kryeqytetin Colombo.
Pas sulmeve të mëngjesit, në Kopshtin Zoologjik në periferinë e kryeqytetit, në Dehiwala, ndodhi shpërthimi i shtatë, ndërsa pas sulmit të tetë u shpall orë policore.
Sipas policisë, bilanci aktual i të vdekurve është 207, prej të cilëve 27 janë shtetas të huaj, kurse 450 të tjerë janë plagosur.
Përgjegjësinë mbi sulmin nuk e ka marrë përsipër askush.

