Kombet e Bashkuara bënë të ditur se regjimi i Beshar Esadit në Siri, nuk ka dhënë akoma lejen për dërgimin e ndihmave njerëzore për kampin Rukban në jugperëndim të vendit.
Zëdhënësi i zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), Jens Laerke në konferencën për shtyp të dhënë në zyrën e OKB-së në Gjenevë, tha: “Gjendja njerëzore në kampin Rukban, që gjendet në afërsi të shkretëtirës në afërsi të kufirit Siri-Jordani, prej më shumë se një muaji është përkeqësuar akoma edhe më shumë”.
Zëdhënësi Laerke tha se Kombet e Bashkuara, për 50 mijë persona që gjenden në kamp, për herë të fundit kanë mundur të dërgojnë ndihma humanitare nëpërmjet Jordanisë në muajin janar.
Ai paralajmëroi se ushqimet themelore në kamp janë duke mbaruar dhe bëri të ditur se qasja në klinikën e mbështetur nga Kombet e Bashkuara është ndërprerë gjatë datave 13-21 shtator.
Laerke tha se gjatë këtyre datave, 3 persona, prej të cilëve njëri fëmijë, kanë humbur jetën pasi nuk kanë mundur të marrin shërbim shëndetësorë në klinikë.
Ai nënvizoi se për shkak të “kushteve të frikshme çnjerëzore” mendohet se 4 mijë persona janë larguar nga kampi dhe bëhet e ditur se edhe civilët e tjerë përgatiten të largohen nga rajoni.
Zëdhënësi i OCHA-së tha se janë bërë të gjitha përgatitjet për të dërguar ndihma njerëzore për civilët që gjenden në kamp. “pavarësisht se janë siguruar të gjitha garancitë e sigurisë së nevojshme, autoritetet siriane të regjimit nuk kanë dhënë ende leje” tha Ai.
Laerke, bëri të ditur edhe një herë se në bazë obligimeve të ligjeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, ftoi palët në Siri për lejimin e ndihmave njerëzore, të sigurta, të vazhdueshme dhe pa pengesë. /TRT



