Rihapet tenderi për ndërtimin e tunelit të Llogorasë, afati i vënë në dispozicion për paraqitjen e ofertave

Fondi limit është 18.9 mld lekë ose 153 milion euro dhe ofertat për shoqëritë e interesuara do të priten deri më 28 korrik dhe nëse nuk do të ketë ankesa pritet që punimet për këtë vepër të nisin në fund të vitit.

Qeveria ka rihapur tenderin ndërkombëtar për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë. Në mars të 2021 qeveria e anuloi tenderin duke përjashtuar të 6 kompanitë që morën pjesë pasi nuk plotësonin dokumentacionin e duhur.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka publikuar dokumentet standarde të tenderit për procedurën e hapur të punëve publike për tunelin e Llogarasë. Fondi limit është 18.9 mld lekë ose 153 milion euro dhe ofertat për shoqëritë e interesuara do të priten deri më 28 korrik dhe nëse nuk do të ketë ankesa pritet që punimet për këtë vepër të nisin në fund të vitit.

Tuneli i Llogarasë do të financohet me paratë e buxhetit të shtetit. Ai do të jetë i gjatë 5.9 kilometra dhe do të lidhet në hyrje dhe dalje të tij me dy ura, nga 110 dhe 40 metra të gjatë. Sipas llogaritjeve, duke kaluar përmes tunelit prej 6 km, me një shpejtësi 50-80 km/orë, do të bënte që kjo rrugë të përshkohej për 7-10 minuta.