Rithemelimi si nevojë urgjente e jona

Nga Redi Shehu

Menjëherë pas datës 30 Qershor, pasi në Shqipëri u zhvilluan zgjedhje me bekimin e ndërkombëtarëve, pavarësisht pretendimit të opozitës për pamundësimin fizik të tyre, një lloj i ri artikulimi u shfaq në panelet e debateve politike. Ky lloj artikulimi çuditërisht u krye nga përfaqësues të kampit opozitar dhe baza e kësaj narrative përmblidhej në tezën e  “rithemelimit” të politikës dhe shoqërisë shqiptare.

Tani, këtu më duhet të ndalem pak, sepse më duhet të saktësoj disa gjëra. Së pari, më vjen mirë që teza e rithemelimit u kap në diskutimet e paneleve kryesore, sepse besoj që është thelbi i zgjidhjes së problemeve në Shqipëri, më vjen mirë gjithashtu edhe sepse këtë tezë unë e kam artikuluar i pari në panele dhe e kam shkruar po ashtu në gazeta. Me datë 7 Shkurt të këtij viti në një panel diskutimi në emisionin “Opinion”  në debatin që po bënim për ngjarjet e Kavajës, ku disa adoleshentë përdhunuan një vajzë të mitur, e kam përmendur për herë të parë mediatikisht tezën e rithemelimit të shoqërisë shqiptare. Po kështu, në këtë frymë, pasoi shkrimi im i datës 13 Shkurt ne gazetën “Panorama” në të cilin kam argumentuar se çfarë nënkuptoja me rithemelim të shoqërisë. Më vonë, tezën e rithemelimit e kam përmendur një ditë pas zgjedhje të 30 Qershorit  në  televizionin “A2 CNN”,  ku rithemelimin e kam parë tashmë si proces jo vetëm social por edhe si proces politik nga ku duhet të burojë zgjidhja e krizës. E bëra këtë parashtrim për të saktësuar  së pari,  autorësinë e kësaj teze në këtë kohë ku përmendet lart e poshtë  pa e shoqëruar me referencë, dhe së dyti, për të treguar se teza të tilla kanë kuptim dhe duhen përvetësuar para krizave dhe jo pas shpërthimit të krizës dhe dështimeve të mundshme për zgjidhjen e saj.

Po përse teza e rithemelimit të shoqërisë dhe politikës shqiptare është zgjidhja me e qenësishme e problemeve që ne kemi hasur këto tre dekada? Pyetja shtrohet bazuar në një premisë pesimizmi e justifikuar deri diku për shkak të depresionit që i shkakton individit shqiptar gjendja e pandryshuar social-politike e jona për një periudhë të gjatë. Ndryshimet e bëra këto tre dekada, kanë qenë procese meremetimi së jashtmi të të gjithë ngrehinës tonë dhe nuk kanë synuar kurrë një përmirësim të brendshëm që zanafillon me njeriun si qendër e sistemit. Është e kotë të mendojmë, flasim dhe veprojmë lidhur me rithemelimin nëse nuk e konceptojmë këtë proçes të fokusuar në tre drejtime kryesore. Këto drejtime përmblidhen në konceptin për individin dhe jetën, në konceptin për familjen dhe në konceptin për shoqërinë në tërësi dhe shoqërinë politike në veçanti. Një rithemelim nuk mundet kurrë të jetë i suksesshëm apo i realizuar, nëse ai nuk konceptohet në të tre këto komponentë.

T’i ri themelosh këto dimensione, do të thotë ta konsiderosh individin jo tashmë si njësi elektorale, si shifër që prodhon vetëm statistike, do të thotë ta konsiderosh dha ta trajtosh atë si një qenie njerëzore me vlera dhe me dimensione, të cilat duhen kultivuar dhe mirëmbajtur në mënyrë të vazhdueshme. T’i ri-themelosh këto dimensione, do të thotë të mos reshtësh së konsideruari njeriun si një qenie, e cila ka dy dimensione, atë fizike dhe shpirtërore, dhe për të qenë i tillë, ka nevojë për një ekuilibër të brendshëm me veten dhe shpirtin e tij. Ashtu si individi ka nevojë për ekuilibër të brendshëm, edhe shoqëria ka nevojë për atë ekuilibrin e brendshëm të saj.

Në mënyrë legjitime shumë kush me të drejtë mund të pyesë, po si mund të bëhet rithemelimi ? Të ri-themelosh diçka nuk do të thotë të ngresh një strukturë të re mbi themele të vjetra, por do të thotë të ndërtosh themele të reja për një strukturë të re. Cilat janë këto themele të reja për të cilat do të duhej një godinë e re ? Gjithçka çka është ndërtuar këto vite, ka qenë një ngrehinë e ngritur mbi themelet e komunizmit, e strukturuar me kolona të tranzicionit dhe si makijazh ka pasur rifinitura të integrimit. Prandaj edhe proceset tona korigjuese gjatë tranzicionit kanë qene procese arnuese jo kirurgjikale, kanë qene ndërhyrje kozmetike jo strukturore. Themelet, struktura dhe rifinitura e godinës tonë sociale në mënyrë të vazhdueshme kanë qenë kontradiktore mes vete, tronditëse dhe të papajtueshme dhe për këtë arsye, kjo godinë asnjëherë nuk ka qenë në pajtim me shpirtin e vërtetë të shoqërisë moderne shqiptare, sepse ajo në themele mbahej peng nga e shkuara, në strukturë korruptohej nga e tashmja dhe në makijazh gënjehej me shpresa nga e ardhmja  integruese.

Rithemelimi i shoqërisë shqiptare nuk është gjë tjetër vetëm se ngritja nga e para e një godine të re ku themelet, struktura dhe rifinitura e saj të jenë në harmoni të plotë me njëra-tjetrën, të jenë shprehëse unike dhe e pandashme e shpirtit të banorëve të saj. Kjo është utopi, do bërtisnin shumë prej skeptikëve. Vërtet, e parë me syzet e një shoqërie kundërshtuese në vetvete siç jemi edhe ne sot, kjo duket një utopi. Por ama, kombet e zhvilluara  e të standardizuara, kanë parë përtej syzeve të skepticizmit dhe utopisë. Ata kanë shfrytëzuar krizat, fatkeqësitë dhe luftërat për të ri-themeluar shoqëritë e kalbura të tyre në ato që ne i njohim sot. Përse ne shqiptarët nuk mund ta bëjmë një gjë të tillë? A nuk është kriza e thellë sociale dhe politike që kulmoi me 30 Qershor, rasti më i mirë për të filluar procesin e rithemelimit?

Kush duhet ta bëjë rithemelimin ? Gjithmonë ne e kemi parë zgjidhjen jashtë nesh, Të tjerët kanë qenë ata që duhet të na shpëtonin. Ndërkombëtarët kanë qenë zgjidhja jonë e përhershme politike.  Rithemelimin e qenësishëm dhe të vërtetë duhet ta bëjmë ne. Ajo realizohet në dy forma: Njëra formë është përmes rithemelimit të individit, i cili në fakt është një proces i gjatë dhe kërkon durimin e angazhimit të të gjithë sistemit arsimor, familjar dhe fetar të shoqërisë. Ndërsa forma tjetër është rithemelim përmes elitave dhe klasës intelektuale të vendit. Kjo e fundit,  është forma më e shpejtë por me kosto më të mëdha dështimi, për shkak se elitat e vendit janë në një masë të konsiderueshme pjesë e vetë problemit për shkak të kapjes së tyre intelektuale nga mijëra fije dhe trafiqe interesi. Rithemelimi përmes elitave, kërkon që një grup intelektualësh të vetëdijshëm dhe të ndershëm të dalin mbi interesat dhe të fillojnë të bëjnë ndryshimin.

Ka edhe një rrugë të tretë që është rithemelimi i shoqërisë tonë nga faktorë të jashtëm. Është pikërisht kjo që po ndodh me reformën në drejtësi. Faktorë të jashtëm, duke parë dështimin e individit dhe elitave shqiptare për ta ri-themeluar veten dhe shoqërinë e tyre, kanë filluar procesin e rithemelimit të shoqërisë shqiptare përmes formave të ndëshkimit të ligjit bazuar në reformën në sistemin e drejtësisë dhe atë antikorrupsion.  Kjo formë e rithemelimit bazuar mbi ndëshkimin, është një formë e shpejtë dhe efikase duke eliminuar të korruptuarit brenda shoqërisë dhe duke i lënë vendin të tjerëve më shpresë që këta ta bëjnë rithemelimin. Metoda e faktorit të jashtëm është e shpejtë por jo e natyrshme, ndëshkimi do sjellë përmirësime të përkohshme, por me kalimin e kohës ka rrezik që sistemi të rikthehet aty ku ishte në ngrehinën e vjetër, nëse rithemelimi i jashtëm nuk do të shoqërohet me rithemelimin shpirtëror dhe etik të shoqërisë.

Mënyra më e mirë është që procesi të fillojë paralelisht me individin dhe me elitat. Një proces i gjatë i reformimit të individit mbështetur nga puna dhe fjala e elitave të vendit. Duket utopia perfekte shqiptare, por, siç edhe një fjalë e urtë thotë : “Rruga e gjatë fillon nga hapi i parë”.

 

 

Lajme të ngjashme