Ministri palestinez i Punëve të Jashtme, Riyad el-Maliki, ka deklaruar se me ndihmën e Turqisë janë të fuqishëm për t’u ballafaquar me kërcënimet, raporton Anadolu Agency (AA).
Maliki dhe ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, pas takimit mbajtën një konferencë të përbashkët për media.
Duke vënë theksin në rëndësinë e mbështetjes së ofruar nga Turqia në fushat si në atë politike, njerëzore dhe financiare, Maliki falënderoi Turqinë në emër të delegacionit palestinez. “Me ndihmën tuaj (Turqisë) jemi të fuqishëm për t’u ballafaquar me të gjitha kërcënimet”, tha ai.
Maliki tha se pas vendimit të SHBA-ve për ndërprerje të ndihmave për Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinezë (UNRWA), janë përpjekur që të mbulojnë këtë deficit me Turqinë, ku nënvizoi se 5 milionë refugjatë palestinezë kanë përfituar nga këto ndihma.
Duke theksuar se është shumë me rëndësi për ta që të përfitojnë nga përvojat e Turqisë, kryediplomati palestinez tha se po tregojnë përpjekje që këto praktika t’i zbatojnë edhe në Palestinë.
“Populli i Palestinës është i vendosur që të përcaktojë të ardhmen dhe t’i japë fund pushtimit”, tha Maliki.



