Ronaldo vë në dispozicion hotelet e tij për të sëmurët nga koronavirusi

Ronaldo do të paguajë mjekët, infermierët e të gjithë njerëzit e përfshirë, si dhe trajtimet e nevojshme shëndetësore në luftën kundër virusit.

Ronaldo, në fushën e betejës për të luftuar koronavirusin. Kësaj here, kundërshtari është jo i zakontë dhe i rrezikshëm.

Fenomeni i Juventus do t’i shndërrojë dy hotelet e tij në Portugali, “Pestana CR7 hotel” në Lisbona dhe Funchal, në ishullin Madeira, në spitale për të luftuar pandeminë. Ronaldo aktualisht ndodhet në vendlindje, Funchal, në karantinë, pasi mbrojtësi i skuadrës Daniele Rugani rezultoi pozitiv me koronavirus, shkruan Monitor.

Duke nisur nga kjo javë, shkruan e përditshmja spanjolle Marca, Cristiano Ronaldo do të vërë në dispozicion strukturat e tij falas – të sëmurët mund të kurohen aty pa asnjë shpenzim. Ronaldo do të paguajë mjekët, infermierët e të gjithë njerëzit e përfshirë, si dhe trajtimet e nevojshme shëndetësore në luftën kundër virusit.
“Mbrojtja e jetëve njerëzore duhet të jetë para çdo interesi tjetër” – ishte mesazhi i CR7 në rrjetet sociale para disa ditësh.

“Bota po kalon një moment shumë të vështirë, që kërkon kujdes dhe vëmendje të madhe nga të gjithë ne. Është e rëndësishme të ndjekim këshillat e OBSH dhe çdo institucioni qeveritar se si të menaxhoni situatën aktuale”.

Gjesti i tij i solidaritetit, që u bashkohet edhe shumë të tjerëve nga futbollistë, sportistë e klube të çdo lloji, është një tjetër hap në rrugëtimin e vështirë, për t’ia dalë mbanë.