Rregullat e reja të kolaudimit, Gonxhja: “Për mjetet që iu përfundon në janar do të shtyhet vlefshmëria”

Ndërkaq, Gonxhja sjell në vëmendje se urdhri i ri nuk ndikon në detyrimin për pagesën e taksave vjetore, që duhet të likujdohen nga të gjithë.

Vlefshmëria e kolaudimit për ato mjete që iu përfundon në muajin janar do të shtyhet, duke bërë që shoferët të mos iu drejtohen pikave të kontrollit teknik. Pavarësisht se ndryshimet ligjore në Kodin Rrugor nuk kanë hyrë në fuqi, kreu i drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja thotë për TV SCAN se në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë po përgatisin dokumentin, në kuadër të afateve të reja për kryerjen e kontrollit teknik, si dhe kalimin e shërbimit nga koncesionari, te shteti.

“Në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë ne po bëjmë gati një akt tjetër që do të normonte një shtyrje të vlefshmërisë së certifikatave. Koha është për tu caktuar, është në diskutim për tu dërguar në qeveri. Në mënyrë që të kishim një bashkërendim edhe më të mirë me organet e kontrollit rrugor dhe Policinë për këto mjete, në rast se sipas skenarit që ne parashikojmë, tranzicioni do të marri një kohë ndoshta edhe sa gjithë janari.

“Ndërsa punohet nga koncensionari deri në datën 31, ne po punojmë për fazën e marrjes në dorëzim. Është një fazë e vështirë dhe komplekse, sepse ka një procedurë të caktuar, e cila është delikate. Bëhet fjalë për një tranzicion që të bëjë të mundur që funksionimi të jetë menjëherë kur të jetë i mundur pas ikjes së koncensionarit dhe me mjetet, paisjet, gjithçka që do të mundësonin ndryshimin e certifikatës së re dhe një funksionim nga e para të një aspekti fiskal, ligjor, teknik sa më të mirë të mundshëm.”

Ndërkaq, Gonxhja sjell në vëmendje se urdhri i ri nuk ndikon në detyrimin për pagesën e taksave vjetore, që duhet të likujdohen nga të gjithë.

“Kjo është gjëja që do të kërkonim korrektesë dhe kujdes nga ana e drejtuesve të mjeteve, që në afatet e pagesave të taksave të kalojnë dhe t’i paguajnë, qoftë online dhe qoftë tek zyrat e ndryshme rajonale. Pra, taksat duhen paguar.”

Sipas ndryshimeve të propozuara në Kodin Rrugor, për mjetet e reja me motor, kontrolli teknik do të kryhet brenda tre vjetëve nga data e regjistrimit parë. Ndërkohë që, pas kësaj periudhe ky kontroll kryhet për çdo dy vjet. Ndërkaq, sipas ndryshimeve të propozuara disa kategori mjetesh do të duhet ta kryejnë çdo vit kontrollin teknik. Më konkretisht, këtu përfshihen mjetet që përdoren si taksi, ambulance, mjetet e destinuara për transport pasagjerësh me më shumë se 8 ndenjëse, mjetet për transport mallrash me ngarkesë më të madhe se 3.5 ton si dhe mjetet me rimorkio me peshë maksimale me ngarkesë më të madhe se 3.5 ton. Ndërkaq, pavarësisht ndryshimit të afateve, tarifa për kolaudimin nuk do të ndryshojë./ SCAN