“Rrënjë Shqiptare” e Marin Mema, pas Shijakut e Tapizës inaugurojnë shtëpi edhe në Bubq

Kjo ishte shtëpia e familjes Korriku vetëm pak muaj më parë në fshatin Bubq të bashkisë Krujë...

Kjo ishte shtëpia e familjes Korriku vetëm pak muaj më parë në fshatin Bubq të bashkisë Krujë.

Ajo ishte dëmtuar rëndë pas tërmetit të nëntorit 2019 dhe familjarët qëndronin prej asaj kohe në një kontenier të thjeshtë.

Sot gjërat kanë ndryshuar, organizata “Rrënjë Shqiptare” me qendër në Shtetet e Bashkuara dhe gazetari Marin Mema pas shtëpive në Likesht e Shijakut e Tapizë të Krujës, kanë dorëzuar edhe këtë tjetër banesë të re për pesë anëtarët e familjes Korriku.

“Jemi shumë të kënaqur që kemi ardhur në proces deri tash, kjo është shtëpia e pestë dhe përfundimisht me një fjalë ne nuk jemi duke u ndalur me kaq, ky është veç fillimi”, shprehet Edi Hoxha nga “Rrënjë Shqiptare”.

“Sot po dorëzojmë një tjetër shtëpi, këtë herë në Bubq dhe nuk do të ndalemi. Siç kemi thënë edhe më herët, punës do t’i shkojmë deri në fund me përkushtim, vullnet dhe transparencë. Familjet që sot janë në çadra kanë nevojë për ndihmë dhe jo për fjalë”, tha Marin Mema.

Shtëpia e dorëzuar familjes Korriku ka një sipërfaqe 108 metra katrorë me një vlerë ndërtimi 3,8 milionë lekë. Pas përfundimit të saj, gjithçka zhvendoset në zonën e Ishmit, ku siç kanë publikuar edhe më parë, grupi do të nisë realizimin e projektit të madh që synon ndërtimin e 44 banesave të reja.

Organizata ‘”Rrënjë Shqiptare” me president Marko Kepin dhe gazetarin Marin Mema, në bashkëpunim pas tërmetit kanë mbledhur një shumë prej rreth 1,6 milionë dollarësh dhe vetëm pak javë më pas kanë nisur punën për rindërtimin e shtëpive të shkatërruara në disa zona.

VIDEO: Organizata shqiptare me qendër në New York dhe gazetari Marin Mema inaugurojnë shtëpitë e para të tërmetit të 26 nëntorit | Gazeta Dita