4 pjesëtarë të stafit të një avioni mallrash Antonov-12 humbën jetën pasi mjeti ajror me të cilin udhëtonin kreu ulje emergjente shumë pranë aeroportit të qytetit të Lviv.
Avioni sovjetik me 4 motorë humbi nga radarët në orët e para të mëngjesit kur ndodhej rreth 8.5 kilometra larg aeroportit, raporton A2News. Ai kishte dhënë sinjal emergjence dhe arriti të ulej në një fushë rreth 1.5 kilometra nga pista.
Një nga anëtarët e ekuipazhit lajmëroi shërbimet e emergjencës të cilët mbërritën menjëherë në vendngjarje. “Ishte pak e vështirë gjetja e avionit”, shprehet zëdhënësi i ekipeve të shpëtimit, “pasi rreth e përqark nuk kishte asnjë shenjë tymi apo zjarri.”
Ministri i Infrastrukturës Vladyslav Kryklii, në një deklaratë për mediat, bëri me dije se avioni u detyrua të bënte ulje emergjente pasi i kishte përfunduar karburanti pasi kishte udhëtuar nga Spanja.



