Rritet numri i të infektuarve me COVID-19

Dy të vdekur dhe 451 të infektuar të rinj me COVID-19 janë identifikuar në 24 orët e fundit në Shqipëri.

Të dhënat u bënë publike nga Ministria e Shëndetësisë, e cila shton se numri i të shëruarve mbetet shumë herë më i ulët se raste pozitive.

Po ashtu 55 pacientë i janë shtuar listës totale të të shëruarve. Dy javëshi i parë i muajit gusht ka prodhuar rritje të rasteve aktive në vend, të cilët aktualisht numërohen në mbi 3300.

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 1228
Shkodër 523
Fier 328
Vlorë 327
Durrës 200
Elbasan 194
Lezhë 181
Gjirokastër 114
Berat 98
Korçë 76
Kukës 68
Dibër 38.

Prej fillimit të pandemisë kanë humbur jetën 2,468 persona dhe sipas mjekëve shumica e tyre kanë qenë me sëmundje shoqëruese.

Autoritetet shëndetësore ftojnë qytetarët të marrin vaksinën kundër COVID-19, duke shfrytëzuar muajin gusht, që është cilësuar ndryshe si muaji i hapur i vaksinimit.

Mjekët thonë se rritja e shpejtë e infektimeve lidhet kryesisht me praninë e variantit “Delta”.