Rritje me afro 78% të eksportit gjatë muajit Mars

Sakaq, sipas të dhënave të INSTAT, ajo që vihet re se është se eksporti në mars 2021 është rritur ndjeshëm edhe krahasuar me mesataren e 3 vjeçarit të fundit. Konkretisht, me 30.9%.

Marsi duket të ketë qenë një muaj i bekuar sa i takon tregtisë së jashtme! Sipas raportit më të fundit të publikuar nga Instituti i Statistikave, eksporti dhe importi janë rritur ndjeshëm jo vetëm kundrejt marsit të vitit 2020 apo shkurtit të këtij viti, por edhe krahasuar me mesataren e muajve mars për periudhën tre vjeçare 2018 – 2020, duke lënë të kuptohet se tashmë, tregtia e jashtme e ka krijuar ‘imunitetin”.

Eksportet në muajin mars ndjenë rritje me afro 78%, krahasuar me marsin e vitit pandemik. Referuar INSTAT, në muajin e tretë të këtij viti, Shqipëria eksportoi mallra me vlerë 32 miliardë lekë, në destinacione të ndryshme të botës. Kjo vlerë, përpos rikuperimit krahasuar me marsin e vitit 2020, në fakt është edhe 28% më e lartë, krahasuar me shkurtin e po këtij viti. Sakaq, sipas të dhënave të INSTAT, ajo që vihet re se është se eksporti në mars 2021 është rritur ndjeshëm edhe krahasuar me mesataren e 3 vjeçarit të fundit. Konkretisht, me 30.9%.

Nga ana tjetër, importi i mallrave arriti vlerën 64 miliardë lekë në mars të këtij viti, duke pësuar kështu, një rritje me afro 45% krahasuar me mars 2020, si dhe me 23,4 %, në krahasim me shkurt 2021. Krahasuar me mesataren mujore të muajve mars për periudhën 2018-2020, rritja e importeve në mars 2021 ishte me afro 24%.