‘Rruga e vdekjes’, trupat e civilëve ukrainas të shpërndarë përtokë, pamjet e tmerrshme nga qyteti Bucha

Trupat e të paktën 20 burrave civilë janë gjetur të nëpër rrugë në qytetin Bucha, në veriperëndim të Kievit pas tërheqjes së forcave ruse nga zona. Imazhet tronditëse të publikuara nga AFP ditën e shtunën. Viktimat, të gjithë me veshje civile, ishin gjetur të pajetë në vende të ndryshme, 23 milje në veriperëndim të kryeqytetit.

“Tre prej tyre ishin gjetur pranë disa biçikletave, me të cilat mendohet se po lëviznin. Disa të tjerë pranë makinave të bërë shoshë nga plumbat”, thuhet nga gazetarët e AFP-së. Në pamjet tronditëse shihet se si një person i pajetë, i ishin lidhur edhe duart pas shpine me një leckë të bardhë.

Kryetari i bashkisë së qytetit Bucha, Anatoliy Fedoruk, tha se civilët e vdekur kishin marrë trajtim çnjerëzor nga forcat ruse. “Trupat e të ekzekutuarve janë ende në rrugën Yabluska në Buça. Ata janë qëlluar pas kokës. Kështu që ju mund ta imagjinoni se çfarë lloj paligjshmërie është kryer këtu.”- Fedoruk i tha Reuters të shtunën.
Këshilltari presidencial ukrainas Mykhailo Podolyak tha se trupat e burrave të gjetur me duar të lidhura, “u qëlluan për vdekje nga ushtarët rusë”.

Podolyak shtoi se; “këta njerëz nuk ishin në ushtri. Ata nuk kishin armë. Ata nuk përbënin asnjë kërcënim. Sa raste të tjera të tilla po ndodhin tani në territoret e pushtuara?” Forcat ruse u tërhoqën nga disa qytete afër Kievit ditët e fundit pasi dështoi përpjekja e Moskës për të rrethuar kryeqytetin, ndërkohë që Ukraina deklaroi se Bucha ishte “çliruar”.