Rusia e cilësoi si “zhgënjyes” vendimin e BE-së për sanksione

"Është për të ardhur keq që instrumentet e paligjshme të tilla si ultimatumi, presioni dhe sanksionet kanë zënë rrënjë në politikën e jashtme të BE-së", thonë nga ministria e Jashtme ruse

Ministria e Jashtme e Rusisë ka reaguar ndaj vendimit të ministrave të Jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian për sanksione ndaj Rusisë për shkak të burgosjes së opozitarit rus, Alexei Navalny, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në reagimin e ministrisë ruse thuhet se vendimi i marrë me arsyetime “trilluese” në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të BE-së ka shkaktuar “zhgënjim”, duke tërhequr vëmendjen se BE-ja në vend që të rimendojë lidhur me presionet dhe sanksionet në marrëdhëniet me Rusinë, është drejtuar përsëri kah sanksionet që “nuk funksionojnë”.

Sipas ministrisë ruse, vendimi në fjalë është “hap i gabueshëm i përsëritur”, ndërsa thirrjet për lirimin e Navalny-t janë të “paligjshme” dhe “absurde”. “Ky shtetas rus është dënuar nga gjykata ruse në vendin tonë për shkak të krimeve ekonomike”, thuhet në njoftim.

Nga ministria tërheqin vëmendjen se BE-ja nuk dëshiron të respektojë etikën në marrëdhëniet ndër-shtetërore.

“Është për të ardhur keq që instrumentet e paligjshme të tilla si ultimatumi, presioni dhe sanksionet kanë zënë rrënjë në politikën e jashtme të BE-së”, thonë nga ministria.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell në një konferencë për media pas takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së tha se Rusia është bërë autoritare dhe po largohet nga BE-ja.

Ai tregoi se kanë arritur “një marrëveshje politike për të vendosur masa kufizuese kundër atyre që janë përgjegjës për arrestimin, dënimin dhe persekutimin” e opozitarit Navalny.

Më herët këtë muaj, një vendim i gjykatës së Moskës rezultoi në një dënim me burg për Navalny-n me 2 vite e tetë muaj për shkelje të lirimit me kusht.

Ai u arrestua në muajin janar në kryeqytetin rus pas kthimit të tij nga Gjermania, ku pati marrë trajtim pas helmimit të pretenduar nga agjentët rusë vitin e kaluar.