Rusia ka humbur 112 ushtarë në Siri në 3 vitet e fundit

Humbjet materiale përfshijnë tetë aeroplanë, shtatë helikopterë dhe me gjasë një ose dy transportues të blinduar dhe kamionë të blinduar

Rusia ka humbur 112 ushtarakë gjatë operacionit tre vjeçar në Siri, deklaroi deputeti rus, Viktor Bondarev, ish-komandant i forcave ajrore të Rusisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për mediat në Moskë, Bondarev i cili mban edhe postin e kryetarit të Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje, tha se Rusia ka humbur 112 ushtarakë të saj në Siri.

“Përfundimisht me ditën e sotme, humbjet e forcave tona të armatosura në Siri janë 112 njerëz, përfshirë rrëzimin e avionëve An-26 dhe Il-20 që përbëjnë gjysmën e tyre”, tha Bondarev.

“Humbjet materiale përfshijnë tetë aeroplanë, shtatë helikopterë dhe me gjasë një ose dy transportues të blinduar dhe kamionë të blinduar” shtoi ai, i cituar nga agjencia e lajmeve TASS.

Më gjashtë mars, një avion transportues ushtarak rus u rrëzua në Siri, ku mbetën të vrarë 39 njerëz në bord.

Më 18 shtator, Rusia tha se një nga avionët ushtarak të tipit Il-20, me 15 ushtarë në bord, u rrëzua aksidentalisht nga sistemi sirian i mbrojtjes ajrore S-200 i blerë nga Rusia.