10.3 C
Tiranë
E hënë, 29 Nëntor, 2021

Seanca maratonë/ S’ka bojkot nga PD, zbardhet plani i demokratëve për sot në Kuvend, temat kryesore që do të diskutojnë

Partia Demokratike ka mbledhur mbrëmjen e sotme Grupin Parlamentar. Gazetari Osman Stafa raporton për “BalkanWeb” se mbledhja ka zgjatur përreth një orë dhe temë kryesore e diskutimit ka qenë seanca nesërme plenare, e cila pritet të miratojë qeverinë e re dhe programin qeverisës “Rama3”.

Në seancë plenare, e cila pritet të jetë maratonë, çdo deputetë do të ketë mundësi të flasë 10 minuta, ndërsa siç mëson gazetari Stafa, PD do ta përqendrojë diskutimin te tri çështje kryesore, si pandemia e Covid-19, tërmeti dhe kriminaliteti në vend, çështje këto, që siç thekson gazetari, PD pretendon se socialistët kanë dështuar.

Gjithashtu, gazetari Stafa raporton për “BalkanWeb” se burime brenda selisë blu kanë bërë të ditur se nesër nuk do të ketë bojkot në Kuvend nga Partia Demokratike, e cila ka vendosur të qëndrojë në sallë gjatë gjithë seancës.

Seanca e nesërme do të nisë në orën 10:00 dhe do të jetë e ndarë në tri faza, ku në fazën e parë do të bëhet prezantimi i programit qeverisës të qeverisë “Rama 3”, në fazën e dytë, e cila është parashikuar të nisë në orën 13:00, do të ketë pyetje nga deputetët dhe diskutime e debate, ndërsa faza e fundit, e parashikuar në orën 14:00, përfshin votimin e qeverisë dhe programit “Rama 3”.

Gazetari Stafa raporton për “BalkanWeb”, referuar burimeve nga PD, se në fazën e dytë, demokratët kanë vendosur të mos bëjnë pyetje lidhur me përbërjen e Këshillit të Ministrve dhe programin e Ramës përgjatë viteve 2021-2025.

Për tu Lexuar

Të Fundit

Lajme të Ngjashme