Sektori bankar ngadalësoi hapin për tremujorin e parë; ranë BKT dhe ABI, u rrit Credins

Sektori bankar ka shënuar një rritje modeste për tremujorin e parë të vitit.

Sipas të dhënave paraprake nga Shoqata Shqiptare e Bankave, mbështetur në Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS), totali i aktiveve të sektorit arriti në 2.297 trilionë lekë, me një rritje të lehtë prej vetëm dy miliardë lekësh krahasuar me fundin e vitit të kaluar.

Megjithatë, me bazë vjetore, rritja ngelet e konsiderueshme. Asetet e sektorit janë zgjeruar me 8% krahasuar me fundin e marsit 2025.

Duke analizuar grupet kryesor të aktiveve financiare, gjatë tremujorit të parë të vitit është vërejtur një ulje e ndjeshme e investimeve në tituj financiarë, kryesisht tituj të borxhit.

Investimet në tituj kanë zbritur në vlerën e më pak se 910 miliardë lekëve, rreth 31 miliardë lekë më pak që nga fundi i vitit të kaluar.

Mund të supozohet se konflikti në Lindjen e Mesme dhe rritja e pritshmërive për norma më të larta interesi i ka shtyrë bankat të zvogëlojnë portofolin e tyre të investimeve në tituj, sidomos në valutë të huaj, për të shmangur një zhvlerësim të tyre gjatë muajve në vazhdim.

Ndërkohë, bankat kanë vazhduar të rrisin me ritme të larta kredidhënien. Portofoli i huasë ka arritur vlerën 946 miliardë lekëve, në rritje të mëtejshme me rreth 20 miliardë lekë që nga fillimi i vitit.

Veç zhvendosjeve mes zërave të ndryshëm të aktiveve, bien në sy luhatjet e konsiderueshme në pjesën e tregut të disa prej bankave.

Banka më e madhe në vend, Banka Kombëtare Tregtare (BKT), ka pësuar rënie të ndjeshme në 23.6% të tregut, nga 24.1% që mbante në fund të vitit të kaluar.

Gjithashtu, Banka Amerikane e Investimeve ka pësuar një rënie mjaft të fortë për një tremujor të vetëm, në 6.6%, nga 7% që mbante deri në fund të vitit 2025.

Pjesa e tregut e humbur nga BKT dhe ABI është marrë, në pjesën më të madhe nga Credins Bank. Banka e dytë më e madhe në vend e ka rritur pjesën e saj të tregut në 17%, nga 16.5% që mbante në fund të vitit 2025.

Në rritje rezulton edhe Raiffeisen Bank Albania, që ka arritur në 14.4% të aseteve totale të tregut, nga 14.2% që mbante në fund të vitit të kaluar.

Rënie të mëtejshme në pjesën e saj të tregut ka pësuar edhe Intesa Sanpaolo Bank Albania, që ka zbritur në 9.3% të aseteve të tregut, nga 9.5% që mbante në fund të vitit të kaluar.

Ndërkohë, në rritje është Bank OTP Albania, që ka arritur në 8.8% të tregut, nga 8.7% që mbante një tremujor më parë.

Edhe Tirana Bank ka vazhduar zgjerimin këtë tremujor, duke arritur në 8.2% të tregut, nga 8.1% që mbante në fund të 2025.

Rritje të lehtë ka shënuar edhe ProCredit Bank Albania, në 2.5% të tregut, nga 2.4% që mbante.

Bankat e tjera kanë ruajtur një pjesë tregu të qëndrueshme në raport me fundin e vitit të kaluar, përkatësisht Union Bank (e cila ka raportuar me standardet lokale, jo me IFRS si bankat e tjera), me 5.3%, Banka e Parë e Investimeve Shqipëri (Fibank), me 3.3% dhe Banka e Bashkuar e Shqipërisë (UBA), me 1.1%. /E.Shehu