Serbia i ndërpret Kosovës furnizimin me energji elektrike

Kosova pret miliona euro përfitime pas shkëputjes nga blloku energjetik i Serbisë.

Menjëherë pas fillimit te funksionimit të pavarur të sistemit energjetik të Kosovës, Serbia ka ndërprerë transmetimin e 500 megavatëve të energjisë elektrike që Kosova kishte importuar nga ky shtet, ka bërë të ditur për Radion Europa e Lirë, Nebih Zariqi, anëtar i bordit të Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës.

Këta megavat të bllokuar nga Serbia, sqaron Zariqi, u zëvendësuan pastaj me një marrëveshje të arritur ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe atyre të Maqedonisë së Veriut, për furnizim nga kapacitetet energjetike të këtij shteti. Kosova pret miliona euro përfitime pas shkëputjes nga blloku energjetik i Serbisë, sipas REL.

“Dihet se Serbia është prodhuesi më i madh i energjisë elektrike në regjion dhe të gjitha shtetet e regjionit pjesërisht furnizohen nga Serbia. Kosova nuk i plotëson kapacitetet prodhuese të energjisë. Kemi pasur mungesë prej 500 megavatësh.

Ato megavate deri tani ishin marrë nga Serbia dhe në momentin e hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshje, pra arritjes se nje pavaresie te  sistemit energjetik të Kosovës, Serbia e ka ndërprerë furnizimin e energjisë për Kosovën.

Tashmë jemi të sigurt në furnizimin e energjisë elektrike, kështu që besoj se do të ketë një stabilitet të madh këto ditë”, shprehet Zariqi, duke shtuar se tashmë ka hyre në sistem edhe linja 400 kV interkonektive me Shqipërinë.