Serdar Kiliç: Ankimet janë pjesë e zgjedhjeve demokratike, kjo ndodh edhe në SHBA

Turqia ka bërë me dije se forcat politike gëzojnë të drejtën për të kundërshtuar rezultatet e zgjedhjeve dhe se kjo vlen jo vetëm për Turqinë, por edhe për të gjitha demokracitë e tjera, përshi këtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shefi i misionit diplomatik turk në Uashington, Serdar Kiliç, iu përgjigj mbrëmjen e së mërkurës komenteve të zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit, Robert Palladino, në lidhje me zgjedhjet lokale të 31 marsit në Turqi.

“Ankimet/rinumërimet janë pjesë e zgjedhjeve demokratike. Partitë kanë të drejtë të kundërshtojnë rezultatet e zgjedhjeve. Kjo ka ndodhur për dekada jo vetëm në Turqi, por edhe në demokracitë e tjera, përfshi Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shikoni rinumërimet në zgjedhjet e viteve 2016 dhe 2018 në SHBA”, shkroi ambasadori Kiliç në “Twitter”, një postim në adresë të zëdhënësit Palladino, raporton TRT.

I pyetur rreth zgjedhjeve vendore në Turqi gjatë konferencës ditore për shtyp të mërkurën, Palladino qe shprehur me këto fjalë: “I pamë lajmet (për zgjedhjet në Turqi). Zgjedhjet e lira dhe të drejta janë bazë për çdo demokraci; pra, esenciale është gjithashtu të pranohen rezultatet e ligjshme. Ne s’presim më pak as nga Turqia, e cila ka një traditë të gjatë dhe krenare në këtë aspekt.”