Shahini: Synojmë mbylljen e vitit shkollor në qershor, vendimi final në fund të prillit

Ndërkaq, sa i takon studentëve, sipas ministres po punohet me drejtuesit e universiteteve, ndonëse vendimmarrja iu takon këtyre të fundit  dhe është specifike për çdo fakultet.

Ministria e Arsimit synon që të mbyllë në kohë vitin shkollor, pra në muajin qershor, por vendimi final do të  merret deri në fund të muajit prill. Përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, ministrja Besa Shahini tha se janë gati disa skenarë, teksa synohet që të mos krijohen pengesa edhe për maturantët që duan të vazhdojnë studimet jashtë vendit.

Plani ynë që është që ta mbyllim vitin shkollor në kohë, në qershor, ashtu siç ishte planifikuar fillimisht dhe të mos kemi pengesa për nxënësit që duan të aplikojnë për studime jashtë vendit”.  Do ta kemi në fund të prillit një vendim final për mbylljen e vitit shkollor. Po shohim me kujdes situatën dhe po presim një vendim nga Task Forca për koronavirusin nëse mund të kthehemi nëpër shkolla apo jo. Sido që të jetë, ne i kemi të gjithë skenarët gati: si në rastin që kthehemi në shkolla apo nëse nuk kthehemi në shkolla, dhe do të zbatojmë njërin nga këta skenarë” tha ministrja.

Shahini u ndal edhe te provimet e maturës shtetërore, duke thënë se programet orientuese do të publikohen në të njëjtën datë me vendimin për mbylljen e vitit shkollor, teksa shtoi se për këta nxënës është përgatitur një paketë e veçantë, transmeton Scan.

“Për maturantët kemi përgatitur një pako të veçantë, sepse është edhe grupmosha më e rëndësishme ngaqë mbyll arsimin parauniversitar dhe fillojnë punën apo i bashkangjiten universiteteve. Tek kjo pako përfshihet edhe një udhëzues për mësuesit se në çfarë forme të punojnë me maturantët. Pra, në muajin maj, ashtu siç ju kam premtuar, pjesa kryesore e punës me maturantët do të jetë e përqendruar tek përsëritjet e leksioneve dhe temave të ndryshme që nevojiten për maturën, si dhe mbylljen e vlerësimeve në shkollë” vijoi ajo.

Ndërkaq, sa i takon studentëve, sipas ministres po punohet me drejtuesit e universiteteve, ndonëse vendimmarrja iu takon këtyre të fundit  dhe është specifike për çdo fakultet.