SHBA, Biden do të nominojë Antony Blinken-in sekretar të Shtetit

Shefi i Stafit të Shtëpisë së Bardhë i Biden-it, Ron Klain, tha se presidenti i zgjedhur do të fillojë të zbulojë më shumë anëtarë në kabinetin e tij të martën, me Blinken, 58-vjeçar, si një nga emrat e parë që do të dalë

Sipas raportimeve, presidenti i zgjedhur i SHBA-së Joe Biden pritet të nominojë Antony Blinken-in si sekretar të Shtetit në kabinetin e tij, transmeton Anadolu Agency (AA).

Shefi i Stafit të Shtëpisë së Bardhë i Biden-it, Ron Klain, tha se presidenti i zgjedhur do të fillojë të zbulojë më shumë anëtarë në kabinetin e tij të martën, me Blinken, 58-vjeçar, si një nga emrat e parë që do të dalë, tha CNN në një raportim.

Teksa Biden ishte nënpresident nën Barack Obaman, Blinken shërbeu si zëvendëssekretar i Shtetit në vitet 2015-2017 dhe zëvendëskëshilltar i Sigurisë Kombëtare në vitet 2013-2015.

I lindur nga prindër hebrenj, diplomati i karrierës Blinken po ashtu shërbeu si këshilltar i sigurisë kombëtar i Biden-it më 2009-2013.

Gjatë mandatit të tij, Blinken ishte aktiv në politikën e jashtme të administratës Obama, duke përfshirë çështjet e aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014, aksionin për të vrarë udhëheqësin e al-Kaidës Osama bin Laden në vitin 2011 dhe luftën kundër DEASH-it.

Biden shpreson që Blinken të rregullojë marrëdhëniet e SHBA-së me vendet e huaja, të cilat morën një goditje nën moton e presidentit Donald Trump “Amerika e Para”.

Sipas CBS News, presidenti i zgjedhur po ashtu pritet të shpallë diplomaten Linda Thomas-Greenfield si ambasadore e SHBA-së në OKB.

Thomas-Greenfield, 67 vjeçe, shërbeu si zyrtare e shërbimit të jashtëm në shumë administrata të SHBA-së që daton që nga ish-presidenti Ronald Reagan. Ajo ishte ambasadore në Liberi në vitet 2008-2012 dhe ndihmëssekretare e Shtetit për çështjet afrikane në vitet 2013-2017.

Sa për emrat e tjerë të mundshëm për kabinetin e Biden, senatorja Elizabeth Warren konsiderohet si një zgjedhje për postin e sekretarit të Thesarit, ndërsa senatori Bernie Sanders konfirmoi interesin e tij për t’u bërë sekretar i Punës nëse i ofrohet pozicioni.