SHBA miraton shitjen e armëve në vlerë prej 650 milionë dollarë për Arabinë Saudite

Departamenti i Shtetit të SHBA-së njoftoi se ka miratuar shitjen e pajisjeve të raketave ajër-ajër të avionëve luftarakë F-15 në vlerë prej 650 milionë dollarë për Arabinë Saudite, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim nga Agjencia për Bashkëpunimin e Sigurisë së Mbrojtjes të SHBA-së thuhet se “Departamenti i Shtetit ka vendosur miratimin e shitjes së raketës së zhvilluar ajër-ajër me rreze të mesme AIM-120C (AMRAAM) dhe pajisjeve përkatëse me një vlerë të parashikuar prej 650 milionë dollarë për Arabinë Saudite”.

Kongresit i është dërguar një njoftim në lidhje me miratimin e shitjes, thuhet në deklaratën në të cilën bëhet e ditur se në paketën e shitjes krahas raketës 280 AIM-120C janë të përfshirë edhe 596 copë të binarëve të lëshimit raketor LAU-128 si dhe pajisjet e tjera mbështetëse.

Më tej theksohet se këto do të përdoren për avionët F-15 dhe ‘Eurofighter Typhoon’ që ndodhen në inventarin e Forcave Ajrore të Arabisë Saudite.

Në anën tjetër miratimi i shitjes së armëve nga Departamenti i Shtetit nënkupton që shitja nuk përbën ndonjë shqetësim në aspektin e administratës amerikane.

Në rast se Kongresi Amerikan nuk refuzon brenda 30 ditë pune vendimin e Departamentit, atëherë administrata fillon bisedimet për përmbajtjen e paketës së shitjes me vendin ku është miratuar shitja.

Si rezultat i këtyre bisedimeve SHBA-ja i propozon një letër ofertë këtij vendi dhe nëse propozimi merr përgjigje pozitive më pas fillon procesi i furnizimit.