SHBA refuzon thirrjen e Putinit për heqje të sanksioneve në këmbim të ushqimeve

Shtetet e Bashkuara kanë refuzuar kërkesën e presidentit rus Putin që Perëndimi të heqë sanksionet ekonomike ndaj Rusisë.

Sipas Kremlinit, Putini i ka thënë kryeministrit italian, Mario Draghi se Rusia do të nisë anijet me ushqime dhe pleh, për të zbutur krizën për ushqim në gjithë botën, por, vetëm nëse “marrin fund masat e zbatuara nga Perëndimi”.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se eksportet e drithit nga Ukraina do të mund të nisin nëse hiqen sanksionet ndaj Rusisë.

Sipas Zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre,  nuk ka bisedime për heqje të sanksioneve.

“Nuk ka bisedime. Kjo është e bëmë e Rusisë”, ka thënë ajo.

Rusia duhet të ndalë “menjëherë luftën e saj në Ukrainë”, e cila është duke ndikuar në sigurinë globale të ushqimit, ka thënë Jean-Pierre.

Rusia dhe Ukraina janë eksportuese të rëndësishme të drithërave, andaj luajnë rol të rëndësishëm në zinxhirin e furnizimeve.

Në javët e fundit, komuniteti ndërkombëtar i ka bërë thirrje Rusisë që të mundësojë eksportin e grurit ukrainas.

Mirëpo sipas Kievit, marina ruse është duke bllokuar portet ukrainase në Detin e Zi.