Sheshi Grand Place në Bruksel, i cili ndodhet në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, është mbuluar nga një qilim gjigant lulesh i cili këtë vit është përgatitur me motive meksikane, raporton Anadolu Agency (AA).
Qilimi i cili këtë vit për herë të parë u përgatit me temë latine në sheshin e famshëm turistik është krijuar në bashkëpunim me rajonin meksikan Guanajuato, i cili njihet për artin e qilimave tradicionalë të luleve.
Qilimi gjigant do të mund të vizitohet nga 16 deri më 19 gusht, ndërsa për përgatitjen e tij janë përdorur mbi 500 mijë lule, edhe atë lule dahlia dhe lulja e famshme begonia belge.
Për përgatitjen e qilimit të gjatë 75 metra dhe të gjerë 24 metra, janë angazhuar 100 punëtorë meksikanë dhe belg vullnetarë të cilët kanë filluar punën në orët e mëngjesit dhe brenda tetë orëve përfunduan qilimin i cili krijoi pamje magjepsëse në shesh.


