Shitjet e kompjuterëve rrien ndjeshëm

Dërgesat për PC në mbarë botën arritën në 275 milionë njësi, në rritje me 4.8% krahasuar me 2019-n. Kjo është rritja më e lartë vjetore për tregun e PC që nga 2010.

“Rritja ka të ngjarë të vazhdojë të paktën deri në gjysmën e parë të vitit 2021. Mbetet për t’u parë nëse do të vijojë në periudhën e post-pandemisë, pasi do të varet nga qëndrueshmëria e ndryshimeve që nxisin kërkesën”

Dërgesat e kompjuterëve personalë (PC) në të gjithë botën arritën në 79.4 milionë njësi në tremujorin e katërt 2020, në rritje me 10.7% krahasuar me tremujorin e katërt të 2019-s, sipas Gartner Inc. Dërgesat e PC për vitin 2020 arritën në 275 milionë njësi, në rritje me 4,8% krahasuar me vitin 2019.

Kjo shënon rritjen më të lartë në 10 vjet.
“Tregu botëror i PC pa një rritje të fortë në fund të 2020-s, duke regjistruar tremujorin e tretë me radhë në rritje, me bazë vjetore, megjithëse vijoi të kishte mungesa në furnizim për shkak të kërkesës së lartë” – tha Mikako Kitagawa, drejtuese e kërkimit në Gartner.

“Kërkesa e fortë për PC nxiti sërish shitjet, në veçanti në rajone ku mbeten ende në fuqi urdhrat nga qeveritë për të qëndruar në shtëpi, duke qenë se pandemia vijon”. Para vitit 2020, konsumatorët e kishin zhvendosur vëmendjen te telefonat, por tashmë pandemia e ka përmbysur trendin. PC janë rikthyer si një pajisje e rëndësishme, pasi përdoruesit, duke përfshirë edhe fëmijët më të vegjël, po mbështeten tek ta për të punuar, për të shkuar në shkollë, për t’u socializuar dhe për t’u argëtuar në shtëpi.

Edhe pse Gartner nuk i përfshin dërgesat e Chromebook në rezultatet tradicionale të tregut të PC, tremujori i katërt i 2020-s ishte një periudhë e mirë në rritje për Chromebooks, me dërgesat që u rritën rreth 200% me bazë vjetore, duke arritur në 11.7 milionë njësi. Në vitin 2020, dërgesat e Chromebook u rritën më shumë se 80%, për një total thuajse 30 milionë njësi, në pjesën më të madhe për shkak të kërkesës në tregun e arsimit në Amerikën e Veriut.

Tre furnizuesit kryesorë të tregut botëror të PC mbetën të pandryshuar krahasuar me tremujorin e mëparshëm, megjithëse Lenovo vijoi të rrisë epërsinë ndaj HP. Duke reflektuar trendin e parë gjatë vitit 2020, shitësit e orientuar drejt konsumatorit si Apple, Acer dhe Asus fituan pjesë në treg.

Dërgesat totale të PC në EMEA (Europë, Lindje e Mesme dhe Afrikë) arritën në 23 milionë njësi në tremujorin e katërt 2020, në rritje me 6.9% me bazë vjetore, ndërkohë që në Azi-Paqësor shënuan 25 milionë njësi, në rritje 8.3% me bazë vjetore. Kërkesa e konsumatorëve si në rajonin EMEA, edhe në vendet e Azi-Paqësorit ishte veçanërisht e fortë.

Dërgesat për PC në mbarë botën arritën në 275 milionë njësi, në rritje me 4.8% krahasuar me 2019-n. Kjo është rritja më e lartë vjetore për tregun e PC që nga 2010.