Shkarkohet Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gledis Nano

Shkarkohet Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gledis Nano. Lajm u bë i ditur nga ministri i Brendshëm Bledi Çuçi pas mbledhjes së sotme të qeverisë.

“Shkarkimi lidhet me mos-përmbushjen e objektivave që i ishin caktuar Drejtorit të Përgjithshëm dhe kryesisht me situatën e ditëve të fundit”, u shpreh ministri Çuçi.

Për momentin detyrat e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, do i ushtrojë nën-Drejtori i Përgjithshëm, Tonin Vocaj.

Ministri Bledi Çuçi i pyetur nga gazetarët nëse është ‘zgjidhja’ shkarkimi i Gledis Nanos për aq kohë sa përgjegjësi duhet të mbajë edhe vetë ministri për drejtimin e policisë së shtetit, ai u përgjigj se shkarkimi i tij është një masë efikase për një reagim të fortë të policisë.

‘Pa diskutim, ka shkallë përgjegjësie, deri tani Këshilli i Ministriave, Qeveria ka menduar që ndryshimi i menaxhimit nëpërmjet shkarkimit të tij është masë efikase për të pasur një reagim më të fortë  të policisë në luftën kundër krimit”,  tha Çuçi.