Zbardhet deklarata e efektivit të Policisë që vrau me armë zjarri 25-vjeçarin Klodian Rasha. Efektivi N.Hadëraj, nga Tepelena është shprehur para efektiëvve të policisë se bashkë me kolegët e tij ishte në patrullim për të ruajtur respektimin e masave anti-COVID, pasi pas orës 22:00 nuk lejohet lëvizja.
Ai pretendon se ka dashur ta ndalojë të riun pasi ka thyer orën policiore, por 25 vjeçari e ka kërcënuar dhe është larguar me vrap dhe më pas ai e ka ndjekur.
E gjithë ngjarja ka ndodhur pak pas mesnate. Efektivi i Policisë i mbetur vetëm me 25-vjeçarin Klodian Rasha e ka qëlluar me armën e shërbimit duke e plagosur për vdekje. Edhe pse u dërgua me urgjencë në spital, 25-vjeçari nuk u mbijetoi plagëve të marra. Vetë Policia ka dhënë versione të ndryshme, duke pranuar se nuk kishte armë, deklaratë që e rrëzoi vetë pak më vonë. Prokuroria dhe SHÇBA po ndjekin ngjarjen për të parë nëse kemi të bëjmë me tejkalim të kompetencave të policisë apo jo.



