Shkon gjithçka keq, Shqipëria sheh makthe në “Wembley” (VIDEO)

Një pjesë e parë katastrofike bëri që kombëtarja shqiptare të rikthehej shumë vite përpara dhe të pësonte një humbje vërtetë të thellë, 5-0 në transfertën ndaj Anglisë.

Një atmosferë e jashtëzakonshme në “Wembley”, ku të paktën 1/3-a e tifozëve ishin ata kuqezi, megjithatë gjërat në fushë nuk shkuan aspak mirë.

Fillimisht ishte Keidi Bare që “u dorëzua” për shkak të një dëmtimi, ndërsa më pas Maguire shënoi golin e avantazhit për anglezët, pas një gabimi në vendosje të kuqezinjve në goditje standarde.

Makthi nuk kishte fund, pasi në të 15-ën Myrtu Uzuni shpërdoroi një “dhuratë” të anglezëve për të rikthyer baraspeshën, ndërsa dy minuta më vonë Marash Kumbulla la fushën e lojës i dëmtuar, për t’u zëvendësuar nga Dermaku.

Nga ky moment gjithçka shkoi keq e më keq, me kuqezinjtë që nxorën topin plot 5 herë nga rrjeta deri në fundin e pjesës së parë dhe po të mos ishte për mëshirën e “tre luanëve” në 45-minutëshin e dytë, mbrëmja mund të kishte përmasa edhe më dramatike.

Gjithsesi tani nuk ka kohë për të qarë, pasi tri ditë më vonë në “Air Albania” vjen Andorra, në ndeshjen e fundit eliminatore, që duhet fituar patjetër për ta mbyllur edicionin në vendin e tretë, që ishte edhe objektivi primar i kuqezinjve.

Angli-Shqipëri 5:0 Maguire 9′, Kane 18′, 34′, 45’+1, Henderson 28′